Policia vijon hetimet lidhur me një rast të dyshuar të tentativës për dhunë seksuale, të denoncuar nga një atlete e re franceze në bordin e anijes turistike që shërben si fshat i atletëve gjatë Lojërave Mesdhetare në Taranto.
Ndryshe nga informacionet e para, sportistja nuk është volejbolliste, por garon në atletikë. Hetuesit po marrin në pyetje disa dëshmitarë dhe kanë mbledhur prova që mund të ndihmojnë në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.
Në fokus janë edhe pamjet e kamerave të sigurisë brenda anijes, veçanërisht ato të vendosura pranë zonës së pishinës.
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes, e reja kishte refuzuar një afrim me natyrë seksuale nga ana e personit të dyshuar, i cili më pas kishte këmbëngulur.
Atletja më pas kishte kërkuar ndihmë, duke tërhequr vëmendjen e stafit të anijes. Në vendngjarje mbërritën edhe ekipet mjekësore të urgjencës 118 dhe forcat e policisë. Sportistja u shoqërua në spital për kontrolle mjekësore, por nuk raportohet të ketë pësuar dëmtime dhe më pas u rikthye në fshatin e atletëve.
Ndaj të riut, i cili është identifikuar nga hetuesit, deri tani nuk është marrë asnjë masë ligjore. I dyshuari, një futbollist maroken, është kthyer tashmë në vendin e tij të origjinës së bashku me delegacionin e tij. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar pretendimet e ngritura nga atletja e re.