Java e parë e marsit e vitit 1983, atmosferë e zjarrtë në stadiumin e qytetit në Gjakovë.
Vëllaznimi triumfoi me rezultat 1:0 ndaj Borcit të Çaçakut, në ndeshjen e javës së 18-të të Ligës së Dytë të ish Jugosllavisë, grupi i Lindjes.
Afro 6 mijë shikues shpërthyen në festë me golin e futbollistit Xhelal Kaçi.
“Në hapje të sezonit pranveror të Ligës së dytë federative të futbollit, sot, në stadiumin e qytetit në Gjakovë u takuan Vëllaznimi dhe Borci i Çaçakut.
Ndeshja u zhvillua nëpër fushë dhe kohë të përshtatshme për lojë e në prani të afro 6.000 spektatorëve.
Pas një loje më të mirë gjatë tërë kohës, fitoi Vëllaznimi me 1:0 (0:0)”, ka shkruar gazetari Blerim Vula me 7 mars ( e hwnw) të vitit 1983 në gazetën “Rilindja”.
“Afër 6.000 futbolldashës gjakovarë, sa ishin tubuar për ta përcjellur premierën pranverore u desh të presin plotë 70 minuta për ta përcjellur gëzimin.
Luhej minuta e 70. Binaku, shfrytëzon një pakujdesi të portierit mysafir. Matijasheviqit, ia “vodhi” topin, por edhe pse ishte në pozitë të mirë nuk shënon.
Topi dëbohet në fushë, deri te Kaçi, nja 16 metra larg portës, e ky me gjuajtje jo aq të fortë por të matur, e dërgon atë në këndin e djathtë të epërm të portës së Borcit – 1:0. Ishte ky gol i vetëm i shënuar në këtë duel, edhe pse sipas rasteve të krijuara është dashur që vendasit të shënojnë së paku edhe nja dy-tri herë.
Që nuk e arritën këtë, fajtor kryesisht janë vetë, pasi në rastet vendimtare nuk demonstruan shkathtësi të nevojshme”, ka shkruar mes të tjera gazetari Vula.
Pas javës së 18-të, Vëllaznimi renditej në vend të shtatë me 20 pikë dhe Borci në të 15-tin ne 14 sosh. Teteksi kryesonte me 26 pikë të mbledhura.
Vëllaznimi - Borci 1:0
Golin e vetëm e shënoi Kaçi në minutën e 70. Referoi Stevan Radoviqi i Beogradit me asistimin e Sedok Trifunovskit të Shkupit dhe Shaban Halitit të Prishtinës. Të ndëshkuar me kartona nuk pati.
Vëllaznimi: Vula, Ali Shehu 8, Hoxha 7, Lota 7, Açif Shehu 7, Stanojeviqi 8, Sretençiqi 6 (Domi 6), Kaçi 7, Binaku 6, Radogoshi 7 (Lama) dhe Bingazi 7.
Borci: Matijasheviqi 7, Pavlloviqi 6, Rajevaci 6 (Tokoviqi), Guduriqi 7, Tadiqi 7, Gavrilloviqi 6, Gjorgjeviqi 6, Vuloviqi 5, Marinkoviqi 6, Ristiqi 5 (Kaliçanini) dhe Çirkoviqi 6.