Liga e Kombeve shërben si një rrugë dytësore dhe shumë e rëndësishme për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian Euro 2028.
Edicioni i ri i UEFA Nations League ka ndikim të drejtpërdrejtë në rrugëtimin e kombëtareve drejt Europianit në dy mënyra kryesore.
Nëse një kombëtare (si Shqipëria apo Kosova) nuk arrin të kualifikohet direkt nga grupet klasike eliminatore të Euro 2028 (të cilat do të zhvillohen gjatë vitit 2027), renditja e mirë në Nations League i jep një mundësi të dytë.
Ekipet më të mira të çdo lige që nuk janë kualifikuar ende, fitojnë një vend në fazën “Play-Off” për të siguruar biletat e fundit drejt Europianit.
Shqipëria garon në Ligën C (Grupi C1) së bashku me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon. Fitimi i këtij grupi jo vetëm që e ngjit Shqipërinë në Ligën B, por i rrit maksimalisht shanset për një biletë rezervë drejt Euro 2028.
Ndërkohë, bonusi tjetër është nga renditja përfundimtare e grupeve në Ligën e Kombeve , e cila përdoret nga UEFA për të ndarë vazot e shortit për kualifikueset e Euro 2028.
Sa më lart të renditet një skuadër në grupin e saj të Nations League, aq më e favorizuar do të jetë në vazo, duke shmangur kundërshtarët më të fortë në grupet eliminatore.
Shorti për kualifikueset e Europianit do të hidhet më 6 dhjetor në Belfast, ndërsa deri atëherë Shqipëria do të ketë mësuar vendin e saj në renditjen e Ligës së Kombeve.