Harry Kane shpallet fitues i “Topit të Artë”

Futboll

Harry Kane shpallet fitues i “Topit të Artë”

Nga: bota sot Më: 26 tetor 2026 Në ora: 20:52 Përditësuar në ora: 00:03 më 27.10.2026
Harry Kane me Topin e Artë 2026, pas shpalljes fitues në ceremoninë në Teatrin Palladium të Londrës

Harry Kane falënderon Tottenhamin: Nuk do të isha këtu pa ju

Harry Kane ka falënderuar Tottenham Hotspur për kontributin në karrierën e tij, duke theksuar se klubi londinez ka luajtur rol të rëndësishëm në rrugëtimin e tij drejt suksesit.

Sulmuesi anglez shprehu mirënjohje për trajnerët dhe të gjithë ata që e ndihmuan të realizonte ëndrrën e tij për t’u bërë futbollist.

“Faleminderit edhe Tottenham Hotspur. Nuk do të isha këtu ku jam sot pa Tottenhamin. Të gjitha udhëzimet dhe trajnerët që më keni ofruar më kanë mundësuar ta jetoj ëndrrën time. Të gjitha ato momente, uljet dhe ngritjet gjatë rrugëtimit, më kanë sjellë deri në këtë moment.

Për të gjithë tifozët e Bayernit, të Anglisë, të Spursave dhe për të gjithë tifozët e mi në mbarë botën: ju dua. Mbështetjen që më jepni e vlerësoj jashtëzakonisht shumë.

Më kujtohet kur, jo shumë kohë më parë, isha edhe vetë tifoz dhe e di se çfarë do të thotë të luash futboll. Ishte një ëndërr e imja. Sa herë që kam mundësi t’jua kthej këtë mbështetje, është nder dhe privilegj për mua”, deklaroi Kane.

Harry Kane: Ky trofe është për të gjithë ne

Fituesi i Topit të Artë, Harry Kane, ka vlerësuar bashkëlojtarët e tij te Përfaqësuesja e Anglisë, duke theksuar lidhjen e veçantë që kanë krijuar gjatë vitit.

“Patëm një vit të veçantë. Nuk ishte i përkryer, por përjetuam shumë momente të bukura. Krijuam një lidhje të fortë mes nesh, veçanërisht gjatë qëndrimit në hotel në Kupën e Botës”, u shpreh Kane.

Sulmuesi anglez theksoi se është krenar që mban shiritin e kapitenit dhe udhëheq ekipin e tij.

“Është nder të jem kapiteni dhe t’ju udhëheq. Kjo më bën jashtëzakonisht krenar. Ky trofe është padyshim për të gjithë ne”, deklaroi ai.

Kane falënderoi gjithashtu përzgjedhësin Thomas Tuchel dhe stafin e Anglisë për udhëheqjen dhe përkushtimin e tyre në ngritjen e standardeve të ekipit.

Harry Kane: Është kënaqësi ta sjell këtë trofe te Bayern Munichu

Fituesi i Topit të Artë, Harry Kane, ka falënderuar bashkëlojtarët dhe stafin e Bayern Munichut, duke theksuar se suksesi i tij nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e tyre.

“Pa ju dhe pjesën tjetër të ekipit, kjo nuk do të ishte e mundur. Mënyra se si më shtyni përpara dhe si garojmë së bashku ka shumë rëndësi. Ju falënderoj shumë”, u shpreh Kane.

Kapiteni i Anglisë i dërgoi gjithashtu urime trajnerit Vincent Kompany, të cilit i dëshiroi shërim të shpejtë.

Kane theksoi se periudha te Bayerni e ka ndihmuar të përmirësohet jo vetëm si futbollist, por edhe si person dhe lider.

“Është nder të luaj për Bayern Munichun. Ta përfaqësoj këtë klub është privilegj i vërtetë. Jam i lumtur që po e sjell këtë trofe te Bayerni”, përfundoi sulmuesi anglez.

Harry Kane shënoi 73 gola në sezonin 2025/26, shkëlqeu me Bayern Munichun dhe Anglinë

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka realizuar 73 gola në garat me klubin dhe kombëtaren gjatë sezonit 2025/26, duke regjistruar një sezon të jashtëzakonshëm.

Sulmuesi i Bayern Munichut ka shënuar gjithsej 156 gola në 158 ndeshje që nga transferimi te klubi gjerman në vitin 2023, duke u renditur në mesin e golashënuesve më të mirë në historinë e klubit.

Kane ka përfunduar si golashënuesi më i mirë i Bundesligës për tri sezone radhazi, ndërsa në sezonin 2025/26 ishte edhe golashënuesi më i mirë në Evropë në nivel klubesh.

Ai gjithashtu udhëhoqi Anglinë drejt vendit të tretë në Kupën e Botës, rezultati më i mirë i kombëtares që nga triumfi i vitit 1966. Kane e përfundoi turneun si golashënuesi i pestë më i mirë.

Paraqitjet e tij me klubin dhe kombëtaren e kanë vendosur sulmuesin anglez në mesin e emrave kryesorë të futbollit botëror.

Harry Kane pas fitimit të “Topit të Artë”: Pothuajse më kanë munguar fjalët

Harry Kane ka shprehur emocionet e tij pas fitimit të “Topit të Artë”, duke thënë se ceremonia në Londër e bëri këtë moment edhe më të veçantë për të.

“Pothuajse më kanë munguar fjalët. Të jem këtu në Londër e bën këtë moment edhe më të veçantë. Falënderoj të gjithë ata që votuan për mua”, u shpreh Kane.

Sulmuesi anglez gjithashtu uroi të gjithë fituesit dhe të nominuarit, duke theksuar se përkushtimi, vendosmëria dhe puna e palodhshme mund të sjellin arritje të mëdha.

Harry Kane shpallet fitues i “Topit të Artë”

Harry Kane është shpallur fitues i “Topit të Artë” për meshkuj, duke u bërë anglezi i parë pas 25 vjetësh që fiton këtë çmim prestigjioz.

Kapiteni i kombëtares së Anglisë dhe sulmuesi i Bayern Munichut u prit me duartrokitje të mëdha në sallë, ku të pranishmit brohoritën emrin e tij: “Harry! Harry! Harry!”.

Alexia Putellas pas triumfit në “Topin e Artë”: Krenari e madhe të jem kapitenе

Futbollistja spanjolle Alexia Putellas, pasi u shpall fituese e “Topit të Artë” për femra, ka shprehur mirënjohjen e saj për këtë vlerësim, duke falënderuar bashkëlojtaret dhe të gjithë ata që e konsideruan të denjë për çmimin.

Në fjalimin e saj, Putellas theksoi se ky sukses përfaqëson jo vetëm arritjen e saj personale, por edhe punën dhe përkushtimin e të gjithë ekipit.

“Faleminderit të gjithë atyre që menduan se e meritoja këtë çmim. Urime të gjitha të nominuarave dhe fitueseve. Dua ta nis duke i falënderuar bashkëlojtaret e mia”, u shpreh ajo.

Ylli spanjoll shtoi se secila prej lojtareve të nominuara mund ta kishte fituar me meritë këtë çmim, ndërsa vlerësoi përvojat e përbashkëta me ekipin, pavarësisht vështirësive dhe lëndimeve me të cilat janë përballur.

“Për mua është një krenari e madhe të jem kapitenе”, përfundoi Putellas, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit brenda skuadrës.

Alexia Putellas shpallet fituese e “Topit të Artë”

Futbollistja spanjolle Alexia Putellas është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Topi i Artë”, një prej vlerësimeve më të rëndësishme individuale në futboll.

Putellas, e njohur për paraqitjet e saj me Barcelonën dhe kombëtaren e Spanjës, është një nga emrat më të njohur të futbollit të femrave.

Harry Kane, sulmuesi më i mirë i vitit

Harry Kane u shpall sulmuesi më i mirë pas një sezoni mbresëlënës me Bayern Munichun dhe Anglinë, ku u shqua mbi të gjitha për efikasitetin para portës.

Sulmuesi anglez zhvilloi 65 ndeshje, duke shënuar 73 gola dhe dhënë tetë asistime, statistika që dëshmojnë rëndësinë e tij në repartin ofensiv.

Kane krijoi gjithashtu 29 raste të mëdha për gol dhe regjistroi mesatarisht 1.25 pasime kyçe për ndeshje

Këto janë shpallur klubet e vitit në ceremoninë e “Topit të Artë”

Në këto momente po mbahet ceremonia e “Topit të Artë”.

Tani është radha e çmimeve për klubet më të mira të vitit, me Barcelonën që u shpall klubi i vitit te femrat dhe Paris Saint-Germain që u shpall tek meshkujt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat