Trajneri kroat, Mislav Karoglan, nuk e ka nisur aspak mirë te Partizani, 2 humbje në 2 javët e para me kryeqytetasit dhe 6 gola të pësuar.
Problemi i mbrojtjes vazhdon të jetë i madh te “Demat e Kuq” edhe me “timonierin” e ri. Ndeshja e radhës për 17 herë kampionët e Shqipërisë është nesër në transfertë karshi Elbasanit, java e 9-të në Abissnet Superiore.
Pas humbjes ndaj Skënderbeut jeni nën presion?
Presioni është prezent kur je në një klub ku pritshmëritë janë të mëdha. Kam folur edhe me lojtarët, duhet të pranojmë realitetin ku jemi.
Duhet të gjejmë stabilitet në repartin e mbrojtjes, pasi kemi pësuar shumë gola dhe, për pasojë, jemi këtu ku jemi për sa i përket edhe pozicionit në klasifikim. Na duhet të punojmë shumë, edhe pse nuk mund të bëjmë një proces normal stërvitor, pasi luajmë çdo 3–4 ditë. Duhet të përpiqemi dhe të vazhdojmë të bëjmë më mirë.
Keni gjetur një diagnozë për të ndryshuar këtë realitet?
Kemi zhvilluar një analizë të plotë për situatën. Asnjëherë unë si trajner nuk dua të krijoj alibi. Shtatë lojtarë, pothuajse gjysma e skuadrës, janë jashtë të dëmtuar. Ndaj Skënderbeut dhuruam në 25 minutat e para një lojë me kualitet të lartë.
Por më pas nuk mundëm të mbanim këtë ritëm dhe kjo ishte diçka që më mërziti pas ndeshjes. Kjo është ana pozitive, ndërsa për anët negative na duhet të punojmë. Sigurisht, ana psikologjike është më e rëndësishme për situatën në të cilën ndodhemi.
Përballja ndaj Elbasanit?
Pres një Elbasan agresiv. Ne duhet të jemi gati dhe t’i përgjigjemi. Nuk mund të jemi një skuadër e butë. Duhet të jemi gati dhe të ndjekim planin tonë.
Kur mendoni se do të keni Partizanin që kërkoni?
Momentalisht nuk kam mundur ta shikoj skuadrën larg. Sigurisht, pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare, do të kemi një skuadër ndryshe, këtë jua premtoj.
Në këtë moment, Elbasani është ndeshja më e rëndësishme, është objektivi ynë kryesor. Mesazhi im për lojtarët është që nuk jam një trajner që e zë paniku.
Dhe nuk jemi një klub që zihet në panik. Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë grintën, krenarinë dhe të luajmë për këto ngjyra në nivelet që kërkohen. Nuk duhet të kemi frikë nga asgjë.