Manchester Utd i ka zbuluar pesë arsyet pse ka nënshkruar me Pochettinon

Futboll

Manchester Utd i ka zbuluar pesë arsyet pse ka nënshkruar me Pochettinon

Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 16:11
Mauricio Pochettino trajner i ri i Manchester Utd

Manchester United ka konfirmuar emërimin e Mauricio Pochettinos si trajner të ri të skuadrës, ndërsa në njoftimin zyrtar ka renditur edhe pesë arsyet kryesore pse ka vendosur ta zgjedhë argjentinasin.

Pochettino do ta marrë zyrtarisht drejtimin e Unitedit më 18 nëntor, pasi t’i përfundojë detyrat e fundit si trajner i Përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USMNT).

Argjentinasi do ta zëvendësojë Michael Carrickun, i cili u shkarkua të enjten, ndërsa ka nënshkruar kontratë dyvjeçare e gjysmë.

Ndeshja e tij e parë në krye të skuadrës do të jetë përballja si mysafir ndaj Liverpoolit, më 22 nëntor, në kuadër të Premierligës.

Në një komunikatë zyrtare, Manchester United ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me Pochettinon dhe stafin e tij teknik për t’i ndërprerë angazhimet me Përfaqësuesen amerikane, pas përfundimit të dy ndeshjeve të ardhshme çerekfinale të Ligës së Kombeve të CONCACAF-it kundër Haitit.

Në vazhdim të komunikatës, klubi anglez ka shpjeguar edhe cilësitë kryesore të trajnerit argjentinas dhe arsyet që ndikuan në vendimin për ta emëruar atë në vend të Carrickut.

“Argjentinasi njihet për stilin e tij të futbollit me intensitet të lartë dhe qasje sulmuese, përkushtimin ndaj ndërtimit të skuadrave të forta dhe kompakte, si dhe rekordin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e futbollistëve individualë”, thuhet në komunikatën e klubit.

“Pochettino ka treguar vazhdimisht se mund të paraqitet në nivelin më të lartë të futbollit në disa liga të ndryshme”, thuhet më tej në njoftim.

Pochettino pritet të marrë pjesë në një konferencë për media të premten, në cilësinë e trajnerit të Përfaqësueses së SHBA-së, ku do t’i prezantojë dy ndeshjet e ardhshme kundër Haitit.

Edhe pse pritet të pyetet për angazhimin e tij të ri te Manchester Unitedi, kontakti i parë zyrtar me klubin do të ndodhë vetëm pasi të udhëtojë drejt Manchesterit, në prag të ndeshjes me Liverpoolin.

Trajneri 54-vjeçar do të jetë në bankinën e Unitedit në “Anfield”, në atë që do të jetë përvoja e tij e katërt në krye të një skuadre të Premierligës. Ai më parë ka drejtuar Southamptonin, Tottenham Hotspur dhe Chelsean.

Sipas “talkSPORT”, bashkëpronari i Manchester Unitedit, Sir Jim Ratcliffe, e ka mbështetur emërimin e Pochettinos, por vendimi thuhet se është shtyrë përpara nga familja Glazer. Ndërkohë, drejtori i futbollit, Jason Wilcox, raportohet se kishte preferuar emërimin e Eddie Howes.

Bisedimet mes Pochettinos dhe pronarëve të Manchester Unitedit thuhet se kishin nisur që në muajin tetor.

Gjatë kohës sa ishte në krye të Përfaqësueses amerikane, Pochettino e udhëhoqi atë deri në fazën e 1/8 së finales në Kupën e Botës 2026, ku u eliminua pas humbjes 4:1 nga Belgjika.

Argjentinasi fillimisht kishte marrë drejtimin e SHBA-së me një kontratë deri në përfundim të Botërorit, por në gusht marrëveshja ishte zgjatur edhe për katër vjet të tjera.

Për këtë arsye, Manchester Unitedit i është dashur të paguajë një dëmshpërblim prej rreth 10 milionë dollarësh (7.4 milionë funte) për ta liruar nga kontrata. Klubi anglez do të mund ta siguronte shërbimin e tij pa paguar këtë shumë shtesë nëse do të kishte vepruar gjatë verës.

Pochettino do ta marrë drejtimin e një Manchester Unitedi që aktualisht renditet në vendin e 18-të në tabelën e Premierligës, me vetëm tetë pikë dhe një fitore në 10 ndeshjet e para të sezonit 2026/27./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat