Tresoldi, kujdes Milani! A të kujtohen De Ketelaere dhe Jashari? 

Futboll

Tresoldi, kujdes Milani! A të kujtohen De Ketelaere dhe Jashari? 

Nga: B.S. Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 23:30
Milani, që po e ndjek me interes të madh Nicolo Tresoldin

Kur bëhet fjalë për disa klube, shpesh thuhet se janë dyqane të shtrenjta.

Por ka edhe klube me të cilat është vështirë të negociosh, përveç faktit se kërkojnë shuma të larta.

Milani, që po e ndjek me interes të madh Nicolo Tresoldin, mund të përballet sërish me një situatë të njohur. Një histori që e ka përjetuar edhe më parë. Madje, dy herë.

Sipas artikullit të gazetës italiane “La Gazzetta dello Sport”, në futboll, ndonjëherë fati ndjek rrugë që përsëritin histori të veçanta. Kështu, në horizontin e kuqezinjve shfaqet sërish Club Brugge.

Megjithatë, duhet theksuar se ende nuk ka nisur një dialog konkret mes dy klubeve, por kjo mund të ndodhë së shpejti.

Vetëm mendimi për të kaluarën e afërt rikthen në kujtesë emrat e Charles De Ketelaeres dhe Ardon Jasharit. A i kujtoni këto dy negociata? Njëra në verën e vitit 2022, tjetra në verën e vitit 2025.

Të dyja kishin një emërues të përbashkët: ishin rraskapitëse.

Takime fizike, videokonferenca, negociata të drejtpërdrejta ose përmes agjentëve, me diskutime deri në centin e fundit. Si Milani, ashtu edhe Brugge ishin negociatorë të fortë.

Belgët, sepse shitja e talenteve të tyre me fitime të konsiderueshme është jetike për qëndrueshmërinë financiare të klubit dhe për ta mbajtur atë në mesin e skuadrave më të mira të futbollit belg, që sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Ndërsa Milani, sepse bilanci financiar, i rregulluar me shumë vështirësi pas disa vitesh pune për të kapërcyer problemet e menaxhimit të mëparshëm kinez, nuk i lejonte klubit të shpenzonte përtej mundësive.

Për këtë arsye, negociatat me klubin belg shpesh ngjanin me pazaret në një treg oriental: njëra palë propozonte një shumë, tjetra kundërpërgjigjej me një ofertë më të ulët, ndonjëherë kërcënonte edhe të largohej nga tavolina, pastaj shtoheshin bonuset dhe negociatat rifillonin.

Javë, madje muaj të tërë negociatash rraskapitëse, sidomos për klubin blerës dhe, rrjedhimisht, edhe për futbollistin, i cili mbetej pezull, pa e ditur se si do të përfundonte gjithçka.

Bllokada

De Ketelaere, kur më në fund u bë lojtar i Milanit, kishte deklaruar:

“Më është dashur të pres shumë dhe të heq dorë nga diçka, por në fund jam këtu dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Gjithçka mori pak kohë dhe për këtë arsye tensioni po rritej”.

Fjalët e tij tregojnë qartë lodhjen që kishte shkaktuar procesi i gjatë i negociatave, ndonëse ai ishte përpjekur të mos ekspozohej gjatë gjithë kësaj periudhe.

Krejt ndryshe ishte qasja e Jasharit.

E njëjta telenovelë, me oferta që në fund ndryshonin vetëm me rreth 100 mijë euro, shuma pothuajse të papërfillshme në një transferim të tillë.

Ndryshe nga De Ketelaere, Jashari, duke kuptuar se situata kishte hyrë në një bllokadë shqetësuese, vendosi të ndërmerrte hapa konkretë për ta përshpejtuar transferimin. Ai u përfshi personalisht, vetëm e vetëm për t'u bashkuar me Milanin.

Disa shembuj konkretë? Ai kërkoi dhe arriti të mos udhëtonte me skuadrën në grumbullimin në Londër, nuk luajti në një ndeshje miqësore dhe mungoi edhe në festën me tifozët për prezantimin e ekipit, ku ishin të pranishëm 14 mijë persona.

Praktikisht, Jashari u distancua nga skuadra.

Fillimisht, drejtuesit e Bruges dukej se ishin të prirur të mbanin një qëndrim të ashpër ndaj tij, por më pas u bë e qartë se mbajtja e një futbollisti kundër vullnetit të tij nuk do të ishte një vendim i mençur.
Megjithatë, Ardon u lejua të largohej vetëm kur Milani iu afrua ndjeshëm kërkesave financiare të belgëve.

Skenari për Tresoldin

Për Tresoldin është e lehtë të parashikohet se qëndrimi i Bruges nuk do të ndryshojë aspak.
Kërkesa financiare e klubit belg sillet rreth 60 milionë eurove. Për më tepër, nga Bruges vjen sinjali se, të paktën për momentin, nuk ka shumë gatishmëri për të hequr dorë nga një futbollist kaq i rëndësishëm në mesin e sezonit.

Ajo që ka ndryshuar në krahasim me një vit më parë është qasja e pronarit të Milanit, Gerry Cardinale, ndaj merkatos.

Siç dëshmojnë edhe transferimet e Gonçalo Ramosit dhe Diego Moreiras, Cardinale duket se ka ndryshuar strategji: nëse një futbollist bind plotësisht drejtuesit, Milani është i gatshëm të veprojë fuqishëm, pa u përfshirë në negociata të gjata dhe rraskapitëse.

Kjo është një mundësi shtesë që deri para një viti nuk ishte pjesë e strategjisë së klubit kuqezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat