Fuchse Berlin fiton ndaj Magdeburgut, synon trofeun e kampionit të Evropës në Këln

Hendboll

Fuchse Berlin fiton ndaj Magdeburgut, synon trofeun e kampionit të Evropës në Këln

Nga: K.G. Më: 13 qershor 2026 Në ora: 17:46
Ekipi Fuchse Berlin

Fuchse Berlin për herë të parë këtë sezon e mposhti SC Magdeburgun, me rezultat 40:35 (19:17), fitore që i siguroi finalen e Champions League në hendboll (meshkujt).

Këtë vit, të dy skuadrat erdhën me role të ndryshuara, Magdeburgu si kampion aktual i Gjermanisë, ndërsa Fuchse Berlin pa trofe dhe me mundësinë që Liga e Kampionëve ta shpëtonte sezonin.

Pikërisht ky motivim dukej se vendosi fituesin e parë të këtij Final Four të 16-të me radhë në Këln. Dëshira, motivimi, vendosmëria dhe efikasiteti ishin faktorët kyç të triumfit të skuadrës nga Berlini.

Sulmin e parë e kishte Magdeburgu, por golin e parë e realizoi Berlini përmes Teigum. Kampioni aktual luante me aksione të gjata, të cilat kryesisht përfundonin me depërtime nga qendra ose krahu i majtë, por edhe me goditje jo të sakta. Për këtë arsye, Fuchse Berlin kontrollonte lojën dhe kishte iniciativën në minutat e para.

Në pjesën e parë, asnjëra skuadër nuk arriti të krijonte epërsi më të madhe se një gol. Mbrojtja e parë e portierit Hernandez ndryshoi ritmin e lojës, ndërsa Hornke i dha Magdeburgut një epërsi minimale pas një kundërsulmi të shpejtë. Megjithatë, kjo zgjati pak, pasi kampioni gjerman luajti dy minuta me një lojtar më pak dhe avantazhi kaloi në anën e ekipit nga kryeqyteti gjerman.

Në mesin e pjesës së parë u pa ritmi karakteristik i Bundesligës, me gola të shumtë në të dyja anët. Portieri i Berlinit bëri ndërhyrjen e parë vetëm në minutën e 16-të, moment që solli një kundërsulm dhe avantazh prej dy golash për “dhelprat”.

Nga ai moment, Fuchse Berlin luajti më lirshëm.

Në minutën e 18-të, Gidsel me një kundërsulm të shpejtë e çoi ekipin e tij në epërsinë më të lartë 13:10, çka detyroi trajnerin Wiegert të bënte ndryshime te Magdeburgu. Në portë hyri Mandić në vend të Hernandez, ndërsa Lagergren solli më shumë stabilitet në sulm. Kjo riktheu pasigurinë në takim dhe tri minuta para pushimit diferenca ishte vetëm një gol.

Në fund të pjesës së parë, mbrojtja e Fuchse Berlin ishte në nivel të lartë, ndërsa “dhelprat” rikthyen epërsinë më të madhe të takimit. Deri në pushim, Magdeburgu arriti ta zvogëlojë diferencën për rezultatin 19:17.

Pjesa e dytë vazhdoi me ritëm të barabartë. Hernandez realizoi disa pritje të rëndësishme për Magdeburgun, por topat e kthyer përfundonin shpesh në duart e lojtarëve të Berlinit, duke bërë që diferenca të mbetej e pandryshuar.

Vetëm në mesin e pjesës së dytë, loja e mirë në mbrojtje dha rezultat dhe Magdeburgu arriti të barazojë në 29:29. Musche në minutën e 47-të riktheu epërsinë për kampionët, e para që nga rezultati 3:2 në fillim të ndeshjes.

Në fundin dramatik, Magdeburgu nuk arriti ta mbante ritmin. Përpjekjet për ta thyer mbrojtjen e Berlinit me aksione atraktive u shndërruan në gabime, të cilat “dhelprat” i shfrytëzuan në mënyrën më të mirë, sidomos përmes Gidselit të disponuar.

Pesë minuta para fundit, Berlini kishte mundësinë të shkëputej me tri gola, por Lasse Andersson qëlloi milimetra pranë portës.

Megjithatë, Magdeburgu u dha edhe një mundësi rivalëve për ta mbyllur ndeshjen.

Tre minuta para fundit, Fuchse Berlin kishte epërsi prej pesë golash – diferencë e mjaftueshme për ta siguruar finalen.

Në një reprizë të finales së vitit 2025, Füchse Berlin dhe Magdeburgu hapën ditën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Këln, por kësaj radhe “dhelprat” festuan fitoren që i dërgon në finale, ku do të përballen me fituesin e duelit mes ekipit Barcelona dhe Aalborg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat