Zemaj: Austria na ofroi specializime për fushat që mungojnë në Kosovë

Kosova

Zemaj: Austria na ofroi specializime për fushat që mungojnë në Kosovë

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 13:15
Zemaj ka pritur në takim Odën e Mjekëve të Austrisë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se sot ka pritur në takim Odën e Mjekëve të Austrisë.

Ai ka thënë se në takim kanë diskutuar për sfidat aktuale të kësaj fushe, duke përmendur edhe angazhimin e specialistëve të papunë.

Kësisoj sipas Zemajt, përfaqësuesit e Odës së Mjekëve Austriak deklaruan se kuadri mjekësor në Austri është shumë i vlerësuar dhe i kërkuar, andaj ofruan specializime dhe subspecializime për fushat që mungojnë në institucionet tona.

Njoftimi i tij i plotë:

Oda e Mjekëve të Austrisë, të prirë nga Presideni, Prof. Dr. Thomas Szekeres, dhe HR Doz. (FH) Dr. Lukas Stärker, ishin mikpritësit e mi dhe dr. Lul Rakës, gjatë vizitës sonë zyrtare.

Në takim, diskutuam për sfidat aktuale të shëndetësisë, bashkëpunimin e mirëseardhur ndërmjet profesionistëve tanë shëndetësorë me ata austriakë, për të këmbyer përvojën, ekspertizën dhe aftësimin e kuadrit me vizita studimore dhe profesionale.

Theksova veprimet tona rreth angazhimit të specialistëve të papunë, 1.500 specializantët e rinj si dhe planifikimet e kuadrit mjekësor konform strategjisë. Theksova se për herë të parë do të miratojmë edhe programin e subspecializimeve për fushat deficitare.

Përfaqësuesit e Odës së Mjekëve Austriak cekën se kuadri mjekësor në Austri është shumë i vlerësuar dhe i kërkuar, andaj me dashamirësi na ofruan specializime dhe subspecializime për fushat që mungojnë në institucionet tona.

E ftova Odën e Mjekëve të Austrisë të vijnë në Kosovë për vizitë dhe thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm me Odën e Mjekëve të Kosovës por edhe me Fakultetin e Mjekësisë dhe ShSKUK, për harmonizimin e mëtejmë të nevojave tona në fushën e specializimeve.

Oda e Mjekëve të Austrisë, ka në gjirin e vet 47.224 mjekë, mesatarja 5.3 mjekë për 1.000 banorë. Mesatare që ne aktualisht vetëm mund ta paramendojmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat