U shënua 22 vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës

Kosova

U shënua 22 vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 15:40
U shënua 22 vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës

Nën organizmin e përbashkët të kryetarit të Komunës së Podujevës dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së në Podujevë, sot është shënuar 22-vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës.

Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të Betejës së Tabeve të Llapashticës kanë filluar me homazhe dhe vendosjen e luleve nga delegacioni i Komunës e Podujevës, i prirë nga kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fitim Haziri dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Homazhe janë bërë në lagjen e Kastratëve në Obrançë, te Tabet e Llapashticës dhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Penuhë.

Me rastin e homazheve te lapidari i dëshmorëve të rënë në betejën e Tabeve të Llapashticës, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se “ka vetëm një rrugë nëpër të cilën ecën historia e lirisë. Ajo është rruga e gjakut të dëshmorëve të kombit, të cilët në kthesën e madhe historike, ishin të gatshëm të falin gjakun për çlirimin e vendit”.

“Liria ndërtohet me sakrificë e gjak. Dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir. E atij populli që lufton ta fitojë lirinë shekuj me radhë dhe që don e din ta ndërtojë lirinë”, tha kryetari Bulliqi.

Duke folur për për betejën e lavdishme të Tabeve të Llapashticës, kryetari Bulliqi tha se “Atëherë kur Llapashtica ishte shndërruar në një kala të pathyeshme për tre muaj me radhë. Në këtë fshat ishte e vendosur edhe komanda e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit”.

Kryetari Bulliqi tha se “Lavdia e betejave të dhjetorit 1998 i takon Tabeve të Llapashticës, por beteja vazhduan edhe në fshatrat tjera të Llapit, ku djemtë dhe vajzat e lirisë treguan heroizëm të pashoq në mbrojtje të vendit”.

“Në Betejën e Tabeve të Llapashticës, luftëtarët e UÇK-së me heroizmin e tyre shpërndan anekënd botës mesazhin domethënës se do të luftohet deri në frymën e fundit për lirinë e vendit.

Isë Havolli ringjalli edhe një herë trimërinë dhe qëndresën e Mic Sokolit, ngase u hodh mbi takun serb. Në ditët si kjo ne frymëzohemi e inspirohemi për rrugën që duhet të ndjekim përpara”, tha kryetari Bulliqi.

Në nderim të kësaj date të rëndësishme të luftës për çlirimin e vendit, në fshatin Konushec u zbulua emblema e UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat