Skenderaj, qytetarët me coronavirus do të marrin nga 50 euro – familjarët e viktimave nga 100

Kosova

Skenderaj, qytetarët me coronavirus do të marrin nga 50 euro – familjarët e viktimave nga 100

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 12:54
Bekim Jashari

Komuna e Skenderajt ka marrë vendim që të ndihmojë financiarisht qytetarët e prekur nga coronavirusi, si dhe familjet e viktimave nga ky virus.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se nga 50 euro do të ndahen për qytetarët e prekur nga coronavirusi, dhe nga 100 euro për familjet e atyre që kanë humbur jetën nga ky virus.

“Në këtë mbledhje është votuar propozimi për subvencionimin e personave të infektuar me virusin Covid-19 në vlerë prej 50 euro, ndërsa qytetarët që kanë humbur betejën me këtë virus, familjarët e tyre do të subvencionohen me nga 100 euro”, ka shkruar ai në Facebook.

Për më shumë postimi i plotë:

“Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal për këtë vit, të cilën e filluam me një minut nderim në përvjetorin e sulmit të parë mbi familjen Jashari dhe ditës së Veteranit, është miratuar propozim vendimi për t`u dalë në ndihmë të infektuarve si dhe familjeve të viktimave të virusit COVID-19 në Komunën e Skenderajt.

Në këtë mbledhje është votuar propozimi për subvencionimin e personave të infektuar me virusin Covid-19 në vlerë prej 50 euro, ndërsa qytetarët që kanë humbur betejën me këtë virus, familjarët e tyre do të subvencionohen me nga 100 euro.

Në bazë të këtij vendimi parashihet që personat përfitojnë nga kjo ndihmë vetëm në rast se arrijnë të sjellin dëshminë e testimit dhe rezultatit pozitiv nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP).

Rreth procedurave të mëtutjeshme do të njoftoheni me kohë, nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat