Qyteti i Skenderajt nga sot pjesë e pullës postare

Kosova

Qyteti i Skenderajt nga sot pjesë e pullës postare

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 16:02
Bekim Jashari

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, sot priti në takim U.d Kryeshefit Ekzekutiv të Postes së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, nga i cili pranoi Pullën Postare me pamjen e qytetit të Skenderajt.

Jashari me këtë rast deklaroi se paraqitja e qytetit të Skenderajt në pullën postare është një nder i veçantë që i është bërë komunës sonë, me ç`rast edhe apeloi qytetarët e vendit që të përdorin shërbimet e Postes së Kosovës, në mënyrë që kështu të fuqizohen ndërmarrjet publike.

“Uroj të keni sukses dhe punët të ju ecin mbarë, po ashtu shfrytëzoj rastin që t`i apeloj edhe Institucionet qendrore që të përkrahin dhe fuqizojnë Posten e Kosovës dhe të gjitha ndërmarrjet tona publike. Pulla postare me pamjen e qytetit tonë do të jetë në qarkullim që nga dita e sotme, andaj kërkoj nga qytetarët e komunës sonë dhe jo vetëm që në dërgesat e tyre të zgjedhin këtë pullë postare që kështu të promovojmë qytetin dhe vlerat tona kombëtare në botë”, tha Jashari, thuhet në njoftimin për media.

Në anën tjetër U.D Krye shefi i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, tha se është një kënaqësi e madhe që në kuadër të pullës postare të përfshihet qyteti historik i Skenderajt, e që sipas tij me të veçantë e bënë këtë gjë, fakti që pikërisht këtë pullë postare po e pranon anëtari i familjes Jashari.

“Sot kemi ardhur që ta promovojmë pullën postare për Skenderajn, një mision i rregullt të cilin e ka posta. Është një kënaqësi e veçantë që sot e promovojmë këtë pullë e cila shfaq vlerat me të larta të kulturës, historisë dhe sakrificës së Skenderajt. Ky qytet është sinonim i qëndresës kombëtare, sinonim i patriotizmit, por me të veçantë këtë pullë postare e bënë dorëzimi direkt Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili njëkohësisht është edhe biri i heroit Hamëz Jashari”, tha nder të tjera Smakiqi.

Në fund të këtij takimi, Jashari i dhuroi Smakiqit, stemën e komunës, kurse ky i fundit në emër të Filatelisë së Postes së Kosovës, Kryetarit Jashari, Familjes Jashari si dhe nënkryetarit Nuredin Lushtaku, i dhuroi pllakën në të cilën është paraqitur qyteti i Skenderajt si dhe pullën postare me pamjen e qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat