Si e vodhi pejani veturën e Komunës?

Kosova

Si e vodhi pejani veturën e Komunës?

Më: 1 mars 2021 Në ora: 18:45
Pejani që i merr veturat

Në orët e vona të së dielës, në oborrin e Komunës së Pejës, u vodh një veturë zyrtare. V.L., i cili u bë i njohur si pejani që i merr veturat të cilat i gjen pa çelës, hyri në dhomën e çelësave të veturave dhe zyrave të komunës, ku vodhi çelësin e njërës prej veturave.

Pejani, deklarata e të cilit u bë virale javën e kaluara, pasi tha se merr vetura ku i gjen hapur, priti deri sa sigurimi fizik u largua nga vendi ku mbahen çelësat e zyrave dhe veturave të Komunës së Pejës. Porsa e pa të largohej sigurimi, u fut dhe mori njërin nga çelësat e varur në tabelë.

Brenda pak minutash, nga oborri i Komunës së Pejës, V.L u largua me njërën prej veturave zyrtare.

Nënkryetari i Komunës së Pejës, Fatmir Asllani, deklaroi se i dyshuari e ka pritur momentin kur sigurimi fizik i objektit nuk ka qenë në vendin e ngjarjes.

“Kjo ka ndodhur gjatë natës se mbrëmshme. Personi vërehet edhe në pamjet e sigurisë, hyn në pjesën ku i mbajmë çelësat, e ka gjetur derën e hapur, sigurimi fizik është parkuar për pak. Objekti është i madh, është vetëm një rojtar, ai është dashur ta shikojë edhe pjesën tjetër të objektit. I dyshuari e ka pritur momentin kur roja ka dalur, ka ardhur hyrë ka marrë çelësin e veturës, e ka ndezur veturën”, ka deklaruar Asllani.

Asllani bëri të ditur se dera e oborrit ku gjendet objekti i Komunës së Pejës qëndron e hapur, për shkak se aty ka edhe ndërtesa në të cilat banojnë qytetarët.

“Dera e oborrit të Komunës qëndron e hapur sepse ka edhe banorë këtu afër dhe lokale. Ai nuk e ka gjetur çelësin në veturë, por ka hyrë në objekt dhe e ka grabitur çelësin. Policia është lajmëruar, dhe po merren me rastin. Vetura e ka pasur gomën e shkyer, por është ne gjendje të mirë. Vetura nuk ka qenë e kryetarit, por e administratës”, deklaroi Asllani.

Asllani deklaroi se ndaj punonjësit të sigurimit do të merren masa përkitazi me raportet e Policisë dhe Prokurorisë.

“Janë procedurat, ne duhet ta pranojmë një raport të Policisë dhe prokurorit. Janë organet tjera, është komisioni disiplinor dhe do të shohim çfarë masa do të ndërmarrim, por po i presim një herë organet kompetente”, bëri të ditur Asllani.

Ndërkohë, edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka konfirmuar se vetura e vjedhur nuk ka qenë e tij.

“Nuk është vetura zyrtare e kryetarit. Është vetura e Drejtorisë së Administratës”, ka deklaruar Muhaxheri.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë, deklaroi se sot gjatë ditës është kërkuar masa e paraburgimit dhe e ekzaminimit psikiatrik për të dyshuarin.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se mbrëmë prokurorja kujdestare në departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë së Pejës është lajmëruar se një person i dyshuar ka hyrë në objektin e Komunës së Pejës dhe ka vjedhur një veturë zyrtare. dhe i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes, mirëpo më pas është arrestuar nga Policia e Kosovës. I njëjti është dërguar në ndalim 48 orësh. Prokurori i shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit dhe ekzaminimit psikiatrik”, deklaroi Nikçi.

E pas vjedhjes së veturës në oborrin e Komunës së Pejës, Valon Loxha, ishte nisur për në Drelaj të Rugovës, ku edhe u kap nga Policia.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Policia e Pejës sot ka pranuar informacion se një veturë është braktisur në fshatin Drelaj në Rugovë. Në vend te ngjarjes është gjetur një veturë e parkuar me sinjalizues ndezur. Në afërsi të veturës është arrestuar personi i cili është i dyshuar për vjedhje të veturës. Vetura pas identifikimit nga ana e Policisë rezulton të jetë prinë e kuvendit komunal të Pejës”, deklaroi Rugova.

Ndërkohë, V.L. u bë i njohur për publikun pas një kronike në një televizion ku deklaronte se i merr veturat të cilat i gjen të hapura në qytet.

Madje, ai për këtë thoshte se fajtorë janë vetë pronarët e veturave, të cilët nuk i mbyllin ato me çelës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat