​Punëtorët e Lotarisë së Kosovës sërish protestojnë

Kosova

​Punëtorët e Lotarisë së Kosovës sërish protestojnë

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 12:32
Foto ilustrim

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar sërish para Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos marrjes së pagave për më shumë se një vit.

Përveç pagave, ata kërkojnë edhe kthimin e tyre në vendet e punës dhe miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës.

Ibadete Hasani-Berisha, punëtore e Lotarisë, tha se do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, derisa u shpreh se punëtorët janë lënë në harresë dhe se janë në gjendje të vështirësi financiare.

Ajo tha se tashmë më shumë se një vit këta punëtorë nuk kanë marrë pagat, derisa kërkoi që qeveria sa më shpejt të miratojë ligjin për Lotarinë e Kosovës.

Berisha: Mjaft kemi pritur

“Për kërkesat tona miratimin e ligjit, pagat, kthimin në vendet e tona të punës, asgjë më shumë. Duke marr parasysh temperaturat kemi prit mjaftë, po gjithçka është siç duket e kotë. Nëse dikush e përfaqëson qytetarin edhe ne jemi pjesë e qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.

Hasani-Berisha tha se nga qeveria aktuale nuk është marrë parasysh as kërkesa për të pasur një takim me ta, derisa theksoi se qeveria duhet të marrë përgjegjësi si aksionari i vetëm i Lotarisë së Kosovës.

Berisha: Pagat nuk i kemi marrë që 1 vit

“Jo asnjëherë as nuk kanë pranuar takim, kemi kërkuar edhe zyrtarisht edhe fizikisht, po asnjëherë nuk e kanë marrë as hapin më të vogël për të pasur një takim me neve...I vetmi aksionar i Lotarisë së Kosovës është qeveria dhe ne llogaritmi pjesë e qeverisë, pagat nuk i kemi marrë që 1 vit”, tha ajo.

Punëtorët shprehen të zhgënjyer që aksionari, në këtë rast Qeveria e Kosovës, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ata të mund të marrin pagat e tyre.

Avdullah Ademaj, përfaqësues i Lotarisë së Kosovës nga Komuna e Pejës, tha se do të protestojnë derisa të realizohen kërkesat e tyre.

Ademaj: Deri në realizimin e kërkesave tona do të jemi këtu

“Kemi dalë në protestën e radhës për miratimin e ligjit, u bënë kaq vite që ende qeveria jonë nuk ka marrë asnjë hap për të shikuar ligjin tonë. Jemi pa paga, jemi punëtorë që 30 vjet, të gjithë jemi punëtorë që kemi kontrata të përhershme, kështu që ne kemi dalë dhe do të kërkojmë deri në realizimin e kërkesave tona do të jemi këtu”, tha Ademaj.

Kuvendi i Kosovës në prill 2019 ka miratuar ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, e që nga ajo kohë Lotaria e Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat