Kjo është gjendja e lumenjve dhe liqeneve pas reshjeve të mëdha nëpër Kosovë

Kosova

Kjo është gjendja e lumenjve dhe liqeneve pas reshjeve të mëdha nëpër Kosovë

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Kosova u përfshi nga një valë e madhe e të reshurave. Qytetet më të përfshira ishin Kamenica, Ferizaj, Podujeva, Malishevë, Prizreni e Istogu.

Gjatë stuhisë që përfshiu Prishtinën vetëm brenda 26 minutave kanë rënë 21.8 mm reshje apo gjysma e mesatares shumëvjeçare e muajit korrik në Prishtinë.

Meteorologu Besim Aliu tha për portalin arbresh.info se nga të reshurat e fundit ka pas një ngritje të lehtë të nivelit të ujit në vend.

“Gjendja e lumenjve është e qëndrueshme. Në të gjithë lumenjtë e vendit, nivelet kanë pësuar ngritje të lehtë të cilat janë në kuotat e tyre normale dhe nuk paraqesin as një rrezik”, tha ai.

Por një gjë e tillë nuk është raportuar edhe për liqenet akumuluese Batllavën e Badocin.

Arjeta Mujku, zëdhënëse për media në ujësjellësin KRU”Prishtina” tha se nuk ka pas ngritje të nivelit të ujit në këto dy liqene.

“Sa i përket nivelit të ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava e Badoci , pas reshjeve të dendura të shiut nuk ka pasë ngritje të nivelit të ujit , pasi që shpenzimi i ujit ka qenë dhe është enorm, pra kemi kërkesa të mëdha për ujë të pijshëm”, tha ajo në një prononcim për portalin arbresh.info .

Nga këto reshje kishte dyshime edhe për ndotjen e ujit të pijshëm.

Por Mujku tha se uji është i sigurtë dhe i pijshëm.

“Uji nga KRU”Prishtina” sh.a. është i pijshëm dhe i sigurt për pije ( në zonën tonë të shërbimit) . Pastrimi i ujit bëhet sipas standardit për përgatitje të ujit për pije, duke iu nënshtruar proceseve teknologjike si: paraoksidimi, ajrimi, koagulimi , flokulimi , filtrimi dhe në fund dezinfektimi”, deklaroi ajo.

“Pra, uji i ujësjellësit të Prishtinës është 100% i sigurt për pije dhe monitorohet vazhdimisht nga laboratori i akredituar i KRU” Prishtina” sh.a. dhe njekohesisht edhe nga IKSHPK”, deklaroi ajo.

Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 633.81 metra mbi nivelin e detit ose ( minus 1.19 m) nën nivelin maksimal të kapërderdhjes, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është 646.60 metra mbi nivelin e detit ose ( minus 3.25 m) nën kuotën maksimale të kapërderdhjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat