Kosovë, kremtimet për Krishtlindjet ortodokse

Kosova

Kosovë, kremtimet për Krishtlindjet ortodokse

Më: 8 janar 2022 Në ora: 06:30
Pamje nga videoja

Në kishat e manastiret e Kosovës janë mbajtur liturgjitë me rastin e krishtlindjeve ortodokse. Liturgjia qendrore është mbajtur në manastirin e Graçanicës ku morën pjesë edhe zyrtarë nga Serbia. Peshkopi Teodosije, drejtues i kishës ortodokse serbe për Kosovën, tha se është shumë e rëndësishme që në vend të ketë paqe.

“Ajo që na duhet të gjithëve sot është ajo që thanë engjëjt në momentin e lindjes së Krishtit, lavdia në lartësi, perëndia dhe paqja në tokë, vullneti i mirë mes njerëzve. Ne kemi vërtet nevojë për paqe, vullnet të mirë, dashuri dhe respekt mes të gjithë neve që jetojmë në këtë zonë", tha ai.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç tha se krishtlindjet ortodokse janë forcim i shpirtit që serbët të mbijetojne dhe të qëndrojnë në Kosovë.

“Sekreti i lindjes së Jezu Krishtit përfaqëson të gjithë kuptimin e jetës sonë, të luftojmë për jetën në liri është misioni themelor këtu në Kosovë. Për të mbijetuar si komb duhet të ndërtojmë paqen dhe të jemi të bashkuar. Çdo njeri në Kosovë përfaqëson bebëzën e syrit të shtetit të Serbisë. Serbia, ashtu sikur më parë, do të mundohet të ndihmojë popullin tonë në Kosovë, shumë më tepër”, tha ai.

Udhëheqësit politikë të Kosovës, ndërkaq i përgëzuan besimtarët ortodoks me rastin e krishtlindjeve me thirrjet për paqe, tolerancë e mirëbesim. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në urimin e saj tha se në përballje me pandeminë duhet solidaritet dhe se sipas saj ngadhënjimi ndaj pandemisë është një lloj rilindje për njerëzimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat