​Ibrahimi: Komunat kanë shprehur shqetësim ndaj bashkëpunimit me nivelin qendror

Kosova

​Ibrahimi: Komunat kanë shprehur shqetësim ndaj bashkëpunimit me nivelin qendror

Më: 27 mars 2022 Në ora: 16:08
Kreu i AKK-së, Sazan Ibrahimi

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim për mos bashkëpunimin në mes komunave dhe nivelit qendror mbi hartimin e politikave që prekin kompetencat e nivelit lokal, por edhe sa i përket buxhetit. Derisa ka potencuar edhe qeverisjen njëvjeçare të kryeministrit duke e cilësuar si bashkëpunim jo korrekt

Kreu i AKK-së, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për KP ka folur mbi problemet e komunave lidhur me bashkëpunimin me Qeverinë, ku përmend rregullimin e kontratave kolektive pasi që vazhdojnë të paguhen nga buxheti komunal.

Ibrahimi: Komunat kanë shprehur shqetësim ndaj bashkëpunimit me nivelin qendror 

“Komunat e Republikës së Kosovës në takimet që ne si Asociacion i Komunave kemi pasur edhe në kontaktet e përditshme, kanë shprehur shqetësim sa i përket bashkëpunimit me nivelin qendror në hartimin e politikave që prekin kompetencat e nivelit lokal, por gjithashtu sa i përket buxhetit. Problemet kryesore që komunat i kanë theksuar në takimet tona janë rregullimi i kontratave kolektive, sepse ende kontratat kolektive vazhdojnë të paguhen nga buxhetet komunale, kurse ato janë lidhur nga niveli qendror me sindikatat e shëndetësisë, përkatësisht të arsimit. Problemi gjithashtu i cili është identifikuar është edhe mos pjesëmarrja e tyre në draftimin apo amendamentin e ligjeve për vetëqeverisje lokale, i cili ka qenë bazik për funksionimin në pushtet lokal, por gjithashtu ka edhe problem sa i përket hartimit të ligjit për financa lokale, por ky ligj është draftuar qe disa vite, por ende nuk është miratuar nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që të kalojë edhe në Parlamentin e Kosovës”, tha Ibrahimi. 

Ndërsa sa i përket ligjit për financa lokale, Ibrahimi thotë se problem kryesor është granti i katërt, pasi që edhe komunat kërkojnë që ky grant të funksionalizohet. Derisa shton se si asociacion kanë dërguar edhe porosi në Ekzekutiv se nuk duhet të injorojnë komunat në hartimin e politikave.

Ibrahimi: Qeveria nuk duhet të injorojë komunat në hartimin e politikave 

“Sa i përket ligji për financa lokale problemi kryesorë është granti i katërt ku komunat kërkojnë që ky grant të funksionalizohet sa më shpejt që është e mundur. Gjithashtu shqetësim tjetër i kryetarëve të komunave është edhe mos funksionalizimi i bordit të organit shqyrtues të prokurimit publik, ende ky bord nuk është funksional dhe ende komunat apo qytetarët nuk përfitojnë drejtpërdrejt nga implementimi i shumë projekteve, të cilat si qëllim kanë përmirësimin e jetës së qytetarit. Ne si Asociacion i Komunave të Kosovës kemi dërguar një porosi në nivelin qendror se Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i injorojë komunat e Kosovës në hartimin e politikave, të cilat prekin kompetencat e komunave, por gjithashtu edhe sa i përket buxheteve që ndahen për nivelin lokal”, tha Ibrahimi.

Kreu i AAK-së ka folur edhe mbi punën njëvjeçare të Qeverisë Kurti, duke e cilësuar si bashkëpunim jo korrekt.

Ibahimi: Kryetarët e komunave kanë theksuar bashkëpunimin jo korrekt mes tyre dhe qeverisë 

“Ne jemi një mekanizëm që i mbron interesat e autoriteteve lokale përballë nivelit qendror, kryetarët e komunave në çdo takim kanë theksuar bashkëpunimin jo korrekt me nivelin qendror, pasi që janë ndërmarrë disa hapa me nivelin lokal pa konsulta paraprake me kryetarët e komunave. Në veçanti duhet ta theksoj miratimin e ligjit për vetëqeverisje lokale apo amendamentin e këtij ligji nga Qeveria, pa konsulta me kryetarët e komunave. Gjithashtu, mos funksionalizmi i bordit të OBSH-së ka impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarit, gjithashtu kontratat kolektive komunat ende vazhdojnë t’i paguajnë kontratat kolektive nga buxhetet e tyre vetanake e jo nga niveli qendror, por ka edhe shumë dilema të tjera që kryetarët e komunave dëshirojnë që t’i zgjedhin me nivelin qendror, por për shkak të mos këtij bashkëpunimi jo korrekt dhe jo të sinqertë kemi shumë probleme edhe në zbatimin e shumë projekteve”, tha ai.

Ibrahimi ka folur edhe për pandeminë COVID-19 duke thënë se deri tani, siç e kanë vlerësuar drejtorët komunalë të shëndetësisë, gjendja është stabile.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat