​Bibliotekat e fakulteteve në UP me mangësi të shumta

Kosova

​Bibliotekat e fakulteteve në UP me mangësi të shumta

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 14:35
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Bibliotekat e fakulteteve në Universitetin e Prishtinës nuk janë të furnizuara me literatura bashkëkohore, por nuk kanë as kompjuter, printer, skaner, fotokopjues, e disa prej tyre as internet. Kurse, sallat e leximeve të fakulteteve të UP-së i kanë pasur një ulëse për 50 studentë.

Kështu u tha në forumin e diskutimit “Bibliotekat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës”, të organizuar nga organizata ADMOVERE.

Qëllimet e raportit kanë qenë evidentimi i gjendjes në biblioteka dhe salla të leximit të fakulteteve të UP-së, ku sipas gjetjeve, rezulton se bibliotekat nuk janë në gjende të mirë sa i përket furnizimit me literaturë, regjistrimit të literaturës, gjendjes së sallave të leximit në falultete dhe hapsirave.

Nuhi Sadiku nga organizata joqeveritare Admovere, ka shpalosur disa nga gjetjet që i kanë realizuar nga disa intervista me bibliotekistët e fakulteteve dhe nga analiza e raportit të fundit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Sipas tij, këto gjetje janë shqetësuese, pasi bibliotekat kanë qenë të mangëta e disa prej tyre edhe të mbyllura.

Sadiku: Bibliotekat e fakulteteve të UP-së nuk kanë qenë të furnizuara me literatura bashkëkohore

“Bibliotekat e fakulteteve të UP-së, nuk kanë qenë të furnizuara me literatura bashkëkohore, të gjitha bibliotekat e fakulteteve të UP-së, së bashku i kanë pasur afro 122 mijë ekzemplarë, që i bie që i kanë pasur 2.5 libra për studentë. Sallat e leximeve të fakulteteve të UP-së i kanë pasur një ulëse për 50 studentë, bibliotekat e fakulteteve të UP-së nuk kanë pasur kompjuter, printer, skaner apo fotokopjues, madje disa prej tyre nuk kanë pasur as internet. Bibliotekat e fakulteteve të UP-së kanë qenë të mangëta sa i përket resurseve njerëzore, disa prej tyre nuk kanë pasur as bibliotekistë e për rrjedhojë ato kanë qenë edhe të mbyllura. Bibliotekat e UP-së i kanë regjistruar librat në Excel ose në librin amë, mënyra këto që tashme janë të tejkaluara, përjashtim atëherë ka bërë vetëm Fakulteti Juridik, i cili e ka pas një program mirëpo, edhe ai sipas gjetjeve tona të asokohe nuk ka qenë i plotë, gjithashtu ka pasur mungesë të madhe të librave online ”, tha ai.

Ai ka shtuar se të gjitha këto gjetje janë shqetësuese. Po ashtu, në vitin 2022 kanë bërë një përditësim se a ka ndryshuar gjendja diçka në këto biblioteka, mirëpo të gjitha vështirësitë që kanë qenë në vitin 2018, janë has edhe në vitin 2022.

Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës tha se Universiteti i Prishtinës përmes donatorëve ndërkombëtare ka siguruar qasje në bibliotekën elektronike, abonim i cili është parapaguar për kohëzgjatjen 2021-2023, ndërsa ka shtuar se nëse krahasohet UP me universitetet e tjera ndërkombëtare, ka një buxhet shumë të limituar.

Ajo ka thënë se për t’i realizuar të gjitha këto duhet pasur mbështetje financiare.

Ibrani: Duhet të kesh mbështetje financiare për të realizuar

“Në Universitetin e Prishtinës nuk ka ndodhë që ndonjë program i studimit mos akreditohet ose të mos t’iu vazhdohet akreditimi në mungesë të bibliotekës përkatëse... plotësohen kriteret minimale... UP-në nëse e krahasojmë me universitetet e tjera ndërkombëtare ka një buxhet shumë të limituar, kemi 31 mijë studentë dhe kemi një buxhet vjetor prej 32 milionë, më një matematikë të thjesht kalkulohet sa është kostoja për kokë të studentit dhe nëse e analizoni tash infrastrukturën universiteteve ndërkombëtare, lehtësisht e kuptueshme se jo vetëm që të kesh prioritet investimin në biblioteka elektronike por duhet të kesh edhe mbështetje financiare për të realizuar”, tha ajo.

Bukurije Haliti, koordinatore e Bibliotekës Qendrore Universitare, tha se janë tri projekte që janë mbështetur nga Ambasada Amerikane nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të hartuara në bashkëpunim me bibliotekën qendrore universitare të UP-së, e gjitha kjo të afektojë në gjithë sistemin e bibliotekave në Kosovë, projekti i rrjetit të bibliotekave të Kosovës, projekti i bibliotekës digjitale dhe projekti i programit kombëtar të arsimimit bibliotekar.

Haliti: Qëllimi i projektit është të ndajë një sistem bibliotekar në të gjitha bibliotekat e Kosovës

“Projekti krijimi i rrjetit të bibliotekave të Kosovës, i cili tashmë është në rrugë të mbarë për t’u implementuar, është projekt i cili do të shtrihet në të gjitha bibliotekat e Kosovës, si në bibliotekën kombëtare, universitare, publike, speciale, shkollore. Qëllimi i projektit që pas përfundimit, është të ndajë një sistem bibliotekar dhe të kenë një katalog të përbashkët, përkatësisht katalogun e përbashkët të bibliotekave të Kosovës. Duke funksionalizuar edhe huazimin ndërbiblotekar midis bibliotekave të vendit", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat