Rahoveci përgatitet për rikthimin e “Hardh Fest”

Kosova

Rahoveci përgatitet për rikthimin e “Hardh Fest”

Më: 3 gusht 2022 Në ora: 22:40
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Rahoveci po përgatitet për organizimin e Festës së Vjeljes së Rrushit, që gjerësisht njihet si “Hardh Fest” e që i mungoi Kosovës për dy vite.

Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, ka njoftuar se ka pritur në takim kryesuesin e këshillit organizues të këtij festivali, Agron Sokoli, ku është biseduar rreth ecurisë së përgatitjeve.

Në Rahovec, në datat 2, 3 dhe 4 shtator, Latifi tha se bashkërisht do të përjetohet rikthimi i fuqishëm i “Hardh Fest”- it, me plot befasi e begati dhe aktivitete.

Ai shtoi se Rahoveci ka dëshmuar se di, do dhe mundet të organizojë manifestime të përmasave të mëdha që thyejnë kufijtë e Republikës së Kosovës.

“Përgatitjet vazhdojnë, ndërkohë që sipas Agronit, sivjet do të kemi risi që do t’i japin peshë dhe fuqi, edhe paralajmërimet, se do të vijnë pjesëmarrës të shumtë nga vise të ndryshme shqiptare dhe nga vende të ndryshme të botës për të shijuar e përjetuar atmosferën dhe kënaqësinë në festën tonë madhështore”, tha Latifi.

Ndryshe, “Hardh Fest” 2022 i dedikohet poetit të madh Xhevdet Bajraj. Inspiruar nga vargjet e poezisë “Ca kokrra rrushi te Rahovecit”, është edhe slogani i edicionit të sivjetshëm, i cili mbahet me 2, 3 dhe 4 Shtator në Rahovec, nën patronatin e kryetarit të Komunës, Smajl Latifi, me përkrahjen tradicionale të MKRS, MBPZHR dhe Komuna Rahovec. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat