Qytetarët shprehen kundër shtrenjtimit të rrymës: Është e papërballueshme

Kosova

Qytetarët shprehen kundër shtrenjtimit të rrymës: Është e papërballueshme

Më: 10 gusht 2022 Në ora: 14:32
Ilustrim

Pas kërkesës së KESCO-s për shtrenjtimin e energjisë elektrike, qytetarët e vendit e kundërshtojnë mundësinë e ngritjes së çmimit të rrymës për herë të dytë brenda këtij viti.

Kërkesën për shtrenjtim të tarifave të rrymës, KESCO e ka arsyetuar me mungesën e mos subvencionimit të zotuar nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa kjo e fundit thotë se është e përkushtuar që të mos lejojë rritjen e çmimeve të energjisë.

Qytetari Bajram Berisha shprehet i mllefosur me kërkesën e KESCO, për këtë ai kërkon të mbahen protesta për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.

Berisha: Duhet të dilet në protesta

“Nuk mund ta përballojë populli, sepse është krizë e madhe në çdo aspekt, janë rritur çmimet në të gjitha gjërat. Janë shtrenjtuar drurët, peleti, me të gjitha, kështu që është e papërballueshme. Duhet të dilet në protesta”, thotë Berisha.

Edhe qytetari tjetër Ibush Shasivari, thotë se qytetarët nuk mund ta përballojnë shtrenjtimin e rrymës në këtë kohë krize.

Shasivari: Është e pamundur ta përballojmë

“Është e pamundur, sepse jam pensionist, kështu që me një pension 200 euro çka të bëj, çka të paguaj së pari - ujin, rrymën, telefonin, qiranë e të gjitha? Nëse e shtrenjtojnë rrymën, bëhet një gabim i madh, sepse për pensionistët nuk janë duke menduar fare. Si mund të bëhet ky shtrenjtim, kur ekonomia është zero”, thotë ai.

Po ashtu edhe Remzije Krasniqi thotë se vendi është në krizë, do të ishte e papërballueshme ngritja e tarifave edhe për pensionistët.

Krasniqi: Jemi në krizë, do ishte e papërballueshme

Video

“Këtë muaj kam dalë në pension, ngritja është e papërballueshme shumë, po s’po kemi çka të bëjmë. Duhet të mendojnë këta njerëz (qeveria dhe KESCO) edhe për neve, që si kemi rrogat e tyre… Po foli për të gjithë jo vetëm për vete, unë po i shoh edhe të tjerët qytetarët se janë në krizë”, shprehet ajo.

Edhe qytetari tjetër që nuk deshi të identifikohej, thotë se shtrenjtimi i rrymës është i papranueshëm për se arsye se ka familje që jetojnë me të ardhura të ulëta.

Qytetari: Është e papranueshme, ka njerëz që jetojnë me 150 euro

“A është në rregull krahasuar me të ardhurat dhe gjendjen e popullatës në Kosovë? Nuk është, kjo është jashtë çdo norme dhe e papranueshme për neve, por fuqi s’kemi me ndryshuar. Nuk është në rregull s’e ka njerëz që jetojnë me 150 euro, çka bën ai”, shprehet ai.

Ndërsa, zëdhënësi i KESCO, Viktor Buzhala, ka thënë për KosovaPress se kostot e larta për energji nuk po mbulohen përmes tarifave dhe subvencionit të zotuar nga Qeveria.

Buzhala: KESCO ka aplikuar për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave

“KESCO ka bërë aplikim për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave për shkak që dy indikatorë nuk kanë shkuar ashtu siç ishte edhe paraparë në shqyrtimin e fundit. I pari është subvencioni i qeverisë në vlerën prej 90 milionë euro, i cili nuk është alokuar te ne, pra asnjë cent, kështu që deri sot ishte dashur të ndahen rreth 33 milionë euro. Ndërsa, indikatori i dytë, është çmimi i importit, i cili ka qenë i paraparë shumë më i ulët se sa është në realitet. Kemi shkuar me çmime që shkojnë diku mbi 500 euro për megavat, ndërsa gjatë korrikut në bursat ndërkombëtare ka arrit mbi 730 euro për megavat”, thotë ai.

Zëdhënësi Buzhala ka thënë po ashtu se nuk e dinë sa për qind do të shtrenjtohet rryma, por që ka pranuar se ngritje do të ketë.

Madje Buzhala thotë se vendi tashmë është futur në krizë energjetike e që sipas tij do të thellohet edhe më tej.

Buzhala: Nuk e dimë sa për qind shtrenjtohet, por, ngritje do të ketë

“Jemi në fazën kur kemi aplikuar për të hyrat maksimale të lejuara, ndërsa jemi në përgatitje të aplikimit edhe për tarifat, të cilat i mbulojnë ato të hyra. Të hyrat maksimale të lejuara, kërkesa është që të shkohet 466 milionë euro, që është 119 milionë euro mbi ato të aprovuara më herët që kanë qenë 347 milionë euro, mirëpo aty ishte paraparë edhe subvencionimi i qeverisë plus 90 milionë euro. Kështu që dallimi është 29 milionë euro aktualisht. Sa për qind i bie ngritja e tarifave të energjisë? Nuk ka ende përqindje, pasi që nuk është finalizuar kërkesa, dhe jemi ende në proces. Nuk mund të spekuloj për shifra… Por, ngritje do të ketë, sepse janë plotësuar parametrat dhe është tejkaluar 5 përqindëshi i shpenzimeve mbi ato të lejuara. Dhe kjo kur tejkalohet, sigurisht që plotësohen parametrat dhe kushtet ligjore për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor… A do të ketë krizë energjetike edhe nëse ndodh një ngritje e çmimit? Kriza energjetike është duke ndodhur sot, lëre më në dimër, është e pashmangshme. Indikatorët e tregojnë këtë”, thotë ai.

Furnizuesi me Shërbim Universal të rrymës në Kosovës, KESCO, ka aplikuar të martën zyrtarisht në Zyrën e Rregullatorit për Energji, për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale, ka njoftuar ZRRE-ja të martën.

Drejtues të ZRRE-së, në një përgjigje për KosovaPress ka thënë se ky institucion është në proces të shqyrtimit të aplikimit dhe publikun do të mbajë të njoftuar në lidhje me veprimet që do të ndërmerren.

Gjatë ditës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se Qeveria e Kosovës do të ekzekutojë së shpejti mjetet për subvencionimin e energjisë elektrike, në një reagim ndaj aplikimit të KESCO-s për rritje të tarifave të energjisë.

Ajo në një konferencë për media ka deklaruar se qeveria është e përkushtuar që të mos lejojë rritjen e çmimeve të energjisë.

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) kishte miratuar më 8 shkurt 2022 faturat e reja me rritje vetëm për një kategori të konsumatorëve, të cilat kanë hyrë në fuqi një ditë më vonë.

Konsumatorët pas kalimit të pragut prej 800 kilovatësh, diferenca e konsumit faturohet me 5.9 centë për kilovatë gjatë tarifave të ulëta dhe me 12.5 centë për kilovatë gjatë tarifave të larta. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat