UP fillon vitin e ri akademik

Kosova

UP fillon vitin e ri akademik

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 23:29
Foto ilustrim

Viti i ri akademik sot nisi edhe në Universitetin e Prishtinës. Këtë vit, mbi 4100 studentë të rinj janë regjistruar në dhjetëra programe studimore të ofruara nga 14 njësi akademike.

Mjekësia, edukimi e disa degë të filozofisë ishin drejtimet të cilat joshën më shumë studentët të cilët nisën vitin e ri akademik në Universitetin e Prishtinës. Studentët u shprehën të kënaqur që viti i ri akademik ka filluar me kohë.

"Jam shumë e kënaqur që kemi filluar me ligjëratat dhe me studimet si studente e re e këtij departamenti, sigurisht jam e emocionuar mirëpo jam shumë e kënaqur që kam filluar me studime", Zejnepe Makovci, studente në degën e Gazetarisë.

"Mezi po e pres ta filloj këtë vit të ri shkollor, pasi që kemi pasur tri vite më parë në shkolla me shokët tanë, tashmë, është një shoqëri e re", tha Riad Latifi, student në degën e Gazetarisë.

"Viti i ri akademik ka filluar me kohë në këtë mënyrë gjithçka shkon me rend edhe nuk humbim asnjë hap gjatë studimeve", Blinera Hajdari, studente në vitin e dytë në degën Letërsi Shqipe.

Të gjitha njësitë akademike kanë bërë pritjen e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës.

"Ne i kemi dy tri fakultete të cilat kanë interesim tradicionalisht shumë të madh për t'u studiuar Fakulteti i Mjekësisë, Edukimit disa programe të caktuara në fakultetin Filozofik dhe fakultetin Filologjik. Interesim pak më të vogël ka pasur në fakultetin Ekonomik", tha Naser Sahiti, Rektor i Universitetit të Prishtinës.

Rektori i Universitetit tha se sfida më e madhe për këtë vit akademik do të jetë furnizimi me energji elektrike për shkak të ndërprerjeve të shpeshta dhe furnizimi me ngrohje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat