​Kastrati: Rruga e madhe e lirisë bashkon njerëzit kudo që ata gjenden

Kosova

​Kastrati: Rruga e madhe e lirisë bashkon njerëzit kudo që ata gjenden

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 13:38
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shpallur “Qytetar Nderi” të kësaj komune Xhemal Jasharin, vëllai i dëshmorit Ismet Jashari-Komandant Kumanova, Skënder Sinanin, vëllai i dëshmorit Tahir Sinani dhe Shpëtim Idrizi, deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Me rastin e 28 nëntorit, pavarësisë së Shqipërisë, sot gjatë seancës komunale u kujtuan dhe u përmendën figurat e larta që kanë dhënë jetën për liri.

Kuvendi i Malishevës më datën 10 nëntor të këtij viti ka marrë vendim t'i shpallë këto figurat e rëndësishme publike si qytetar nderi, pasi siç u tha gjatë fjalimeve ky është muaji i heroizmit.

Kryetari Kastrati tha se e kaluara e vendit ka argumentuar mjaftueshëm se rruga e madhe e lirisë i bashkon njerëzit kudo që ata janë.

"E kaluara jonë ka argumentuar mjaftueshëm se rruga e madhe e lirisë bashkon njerëzit kudo që ata gjenden, sepse brenda tyre ishte misioni për të qenë të lirë. Llausha ka dhënë kontribut në secilën lëvizje përparimtare të kohës, djem dhe vajzat janë rreshtuar dhe kanë ndihmuar në këto lëvizje me qëllimin e çlirimit të tokave tona... Andaj ndihem i lumtur e i përmbushur që u miratua propozimi që për nder të festave të nëntorit të nderohen dhe të shpallen qytetarët nderi figura të rëndësishme të jetës publike nga gjeografia shqiptare, të cilët me angazhimin e tyre kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë patriotike për të mirën e kombit shqiptar", tha Kastrati.

Në një fjalë rasti ai me theks të veçantë uroi festën edhe bashkëluftëtarëve të cilët janë në Hagë, siç tha ai me shpresën që drejtësia të triumfojë dhe të dalin faqebardhë nga aty. Po ashtu, Kastrati falënderoi miqtë ndërkombëtarë që besuan dhe ndihmuan në të drejtat e Kosovës per liri dhe pavarësi.

Kryetari i Shoqatës së dala nga lufta, Metush Kryeziu, në emër të veteranëve falënderoi komunën për këtë iniciativë dhe uroi të gjithë për festën e 28 nëntorit. Edhe përfaqësuesit e familjeve të dëshmorëve u shprehën të nderuar e të lumtur për këtë iniciativë. Deputeti i Republikës së Shqipërisë Shpëtim Idrizi në një fjalë përshëndetëse, e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë titullin si qytetar nderi. Idrizi tha se historia e Kosovës është edhe e Shqipërisë.

Idrizi: Historia e Kosovës është edhe e Shqipërisë

"Unë ndjehem i përulur që po më japin këtë titull të rëndësishëm, por e pranoj me përulësi dhe nder...Titulli që më jepet për mua është nder dhe emocion, sepse po ju rrëfej se këtë titull e kam marrë edhe në një pjesë të Çamërisë së Vogël dhe sigurisht se këto dyja janë dy gurë kilometrik të vendosura në jetën time, shumë të rëndësishëm. Atdheu është sakrificë që duhet të punosh për të... Kosova dhe Çamëria kanë pasur një fat tragjik, dy pjesë ju lanë jashtë territorit të atdheut të cilët u vranë e masakruan vetëm pse ishin shqiptarë, andaj historia e Kosovës është edhe e Shqipërisë", tha Idrizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat