Ajri i ndotur shton numrin e pacientëve me probleme të frymëmarrjes

Kosova

Ajri i ndotur shton numrin e pacientëve me probleme të frymëmarrjes

Më: 25 janar 2023 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

Me rënien e temperaturave, në kryeqytet fillon edhe ndotja e ajrit. Në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra. Si pasojë e ajrit të ndotur disa qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ndërsa ekspertët shëndetësorë apelojnë te qytetarët që kur ajri të jetë i ndotur t’u shmangën ekspozimeve në hapësirat publike.

Ajri i ndotur në kryeqytet këtyre ditëve ka shtuar numrin e pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Njëra nder to është edhe Valbona Krasniqi nga Prishtina, e cila tha për Radio Kosovën se këtyre ditëve ndotja e ajrit i ka shkaktuar vështirësi në frymëmarrje dhe si pasojë e ndotjes se ajrit ajo ka kërkuar ndihmë mjekësore.

 “Zakonisht kam problem me ajrin e ndotur. Jam shumë e ndjeshme në pluhur dhe nga gazrat e automjeteve. Këtyre ditëve moti i ligë dhe mjegulla ma ka vështirësuar gjendjen,  sepse s’po mund të thith ajrin e pastër që po më nevojitët. Mëngjeseve po dal me maskë kur po është ajri i papastër dhe kur po ka mjegull”,tha Krasniqi.

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, Musa Hoxha, tha se ajri i ndotur paraqet pasoja serioze ne shëndetin e njeriut e kryesisht të atyre pacientëve me sëmundje kronike.

“Ndotja e ajrit përkeqëson gjendjen e të sëmurëve kronikë, por mund t’i dëmtojë edhe personat e shëndetshëm. Prandaj gjithmonë bëhet thirrje që kur është ndotja më e rritur edhe aktiviteti fizik në hapësirat në ambiente të jashtme të jetë më i kufizuar, mos të ketë shumë frekuentime për shkak të ndotjes së ajrit”, tha Hoxha.

Doktoresha  në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Vjollca Zeqiri,  thotë për Radio Kosovën se këtyre ditëve është shtuar numri i pacienteve që kane kërkuar ndihmë mjekësore, e kryesisht të atyre me sëmundje kronike.

“Kushtet e këqija atmosferike ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes së tyre kronike, zakonisht përcillet me frymëzënie, vështirësi në frymëmarrje e sidomos kur dalin në ambiente të jashtme, vjen deri te komplikimi në rrugët ajrore si dhe vjen deri te përkeqësimi i kollitjes së shtuar”, tha ajo.

Zeqiri, tutje apelon që personat të cilët kanë probleme kronike të ruhen dhe mos t’i ekspozohen kohës së ligë kur ka ajër të ndotur, t’i shmangën kohës me mjegull e sidomos gjatë mbrëmjes dhe mëngjeseve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat