Suhareka në pulla postare të Kosovës

Kosova

Suhareka në pulla postare të Kosovës

Më: 26 janar 2023 Në ora: 19:14
Foto ilustrim

Sot, Filatelia e Postës së Kosovës, lëshoi në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare  “Qytetet e Kosovës-Suhareka”, me pamjet e bukura të këtij qyteti historik të Kosovës.

 

Theranda (Suhareka) e sotme shtrihet në pjesën verilindore të Prizrenit, përkatësisht në Rrafshin e Dukagjinit, që dikur ishte stacion i rëndësishëm në rrugën e vjetër Shkodër – Kosovë, me funksion të qendrës ekonomike dhe administrative të Podgurit të Prizrenit. Është qendër e bukur, e rëndësishme dhe gjendet në rrugën që lidhë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn dhe Rahovecin.

 

Sa i përket gjurmimeve arkeologjike, mund të konstatojmë se lokaliteti i Suharekës ishte i banuar që nga parahistoria. Në lokalitetin Hisari dhe Shiroka, si dhe në ngastrën e kësaj qendre janë gjetur materiale interesante të kulturës materiale, që dëshmojnë qartë ekzistimin e fiseve ilire shumë të hershme.

 

Vendbanimi i Hisarit, përkatësisht gradina parahistorike gjendet në kodrën që ngrihet në pjesën perëndimore të Suharekës, e cila i takon grupit kulturor dardan që u zhvillua gjatë shek. VIII-IV p.e.s., që nga periudha eneolitike.

 

Posta e Kosovës edhe në të ardhmen do të vazhdojë promovimin e vlerave dhe bukurive që ka shteti i Kosovës, përmes imazheve të pullave postare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat