FES: Vetëm 21 për qind e grave janë të punësuara

Kosova

FES: Vetëm 21 për qind e grave janë të punësuara

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 19:59
Foto ilustrim

Vetëm 21 për qind të grave në Kosovë janë të punësuara, 49 për qind prej tyre janë të punësuara në sektorin publik, kurse 38 për qind janë amvise. 

Këto të dhëna janë bërë të ditura të enjten në publikimin e hulumtimit të Friedrich Ebert Stiftung (FES) mbi mbi qëndrimet, bindjet dhe praktikat e gravë në Kosovë. Aty mes tjerash u tha se nga deklarimet e grave vetëm tre për qind e tyre kanë shprehur dëshirën për angazhim në parti politike. 

Besa Luzha nga FES, tha se të dhënat janë shqetësuese, sado që është bërë progres viteve të fundit më barazinë gjinore dhe angazhimin e promovimit e pjesëmarrjes së grave më politikë. 

Luzha: Të dhënat janë shqetësuese 

"Sado që ne shohim që kemi bërë progres në aspektin e promovimit të barazisë gjinore të pjesëmarrjes së grave në politikë dhe na duket që jemi shumë aktive dhe jemi të përfshirë, kur e hapim mostrën në gjithë Kosovën na dalin të dhëna shumë shqetësuese...Gjendja është e tillë që vetëm 21 për qind e grave janë të punësuara, 38 për qind e kanë deklaruar vetëm amvise, 49 përqind punojnë në sektorin publik, tjerët më pak në sektorin privat. Ka edhe një numër të grave që janë të vetëpunësuara por shifrat janë të vogla. Po ashtu shifrat tona kanë treguar se barrën kryesore të punës që bëhen në shtëpi, mbi 81 për qind e kujdesit familjar është barrë e grave. Sa i përket proces dhe barrës financiare, gratë e kanë një varësi të madhe nga bashkëshortët dhe familja", tha ajo. 

Pjesë e këtij publikimi ishte edhe ministrja e Drejtësisë, njëherësh kryetare gruas në LVV, Albulena Haxhiu, e cila tha se në bazë të dhënave duhet të reflektohet për të shtuar angazhimin për përfshirjen e vajzave dhe grave në jetën shoqërore dhe politikë. 

Haxhiu: Duhet reflektim 

"Kjo na bënë që të reflektojmë dhe shtojmë angazhimin për përfshirjen e vajzave dhe grave në jetën shoqërore, por pse jo edhe angazhimin politik....Deputetët tona janë zgjedh pa nevojë të kuotës gjinore, sikurse pastaj edhe ministre e kabinetit qeveritar, për here të parë LVV ka pasur nënkryetare të Kuvendit, pastaj edhe presidenten grua...LVV në zgjedhjet e fundit ka rezultuar se 62 për qind të rezultatit janë vota të vajzave dhe grave, por nëse shohim anëtarësinë del nga 60 mijë anëtarë, vetëm 24.7 për qind janë anëtarë vajza dhe gra. Kjo na tregon një gjendje jo të mirë, se pavarësish mbështetjes që mund të kemi dhe gratë po dalin dhe votojnë kjo nuk po reflekton në numrin e anëtarëve tonë", tha ajo. 

Ndërkaq, kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se përfaqësimi i grave në politikë duhet të jetë më i madh. 

Lushaku: Përfaqësimi i grave brenda LDK-se është 30 për qind

"Me regjistrimin e fundit që kemi bërë të anëtarësisë, jemi diku 50-50 të grave dhe burrave. Kemi pasur muaj që gratë ka qenë më përpara me numra, kemi qenë të befasuar por kjo nuk na jep komoditetin që pozitat e tyre dhe fuqia vendimmarrëse në parti është njëlloj sikurse anëtarësia, pasi nuk është. Përfaqësimi i grave brenda LDK-se është 30 për qind, por gjithsesi kjo nuk është reflektuar në pozitat vendimmarrëse në pozitat që kemi marrë në komuna që udhëheqim apo pozita ekzekutive. Në duhet të përmirësohemi dhe reflektojmë aty ku ka gatishmëri. Njëra prej sfidave ka qenë edhe hezitimi i grave për të marrë pushtet", tha ajo. 

Mes tjerash në këtë diskutim nga pjesëmarrësit u kërkua edhe angazhim shtesë nga institucionet për vetëdijësim dhe krijim të mundësive për punësimin e grave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat