Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve: 100 euro s’mund të quhen pension

Kosova

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve: 100 euro s’mund të quhen pension

Më: 25 mars 2023 Në ora: 11:37
Nijazi Gashi

Për kryetarin e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, shuma prej 100 eurosh nuk mund të quhet pension.

“Njëqind euro nuk mjaftojnë as për ushqim me qumësht e qaj. Këta njerëz kanë nevojë edhe për sapun, për pastë të dhëmbëve e gjëra tjera. Nuk jemi aspak të kënaqur me këtë vlerë të pensionit bazë”, tha ai.

Gashi shton se kjo shumë nuk përmbush as nevojat elementare të një personi.

“Ne mendojmë që vlera e pensionit bazë prej 90 ( 100 ) eurove është tepër e ulët dhe absolutisht nuk mjafton për të përmbushur nevojat me elementare për një person. Kjo është shumë më keq kur duhet të kemi parasysh që shumica e të moshuarve kanë nevojë për një mori barnash siç janë ato për hipertension, për sëmundje të zemrës, të veshkave, të lukthit e të mos flasim për ata që mund të kenë sëmundje kronike”, u shpreh Gashi.

Sipas tij, problemet financiare që rrjedhin si pasojë e pensioneve të ulëta në Kosovë, po ndikojnë edhe në shëndetin mendor tek personat e moshuar.

“Sfidat në këtë moshe janë të shumta. Sfidë, në rend të parë, është vet mosha. Pastaj me moshën vijnë problemet shëndetësore që mund të ndahen në shëndetin organik dhe shpirtëror. Ne e thamë më lartë që shumica e të moshuarve vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike që përpos problemeve shëndetësore ajo implikon dhe gjeneron probleme financiare të cilat në mënyrë zinxhirore ndikojnë në shëndetin mendor të kësaj kategorie të shoqërisë tonë”, ka potencuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat