​Përfshirja e të miturve në krime, psikologët flasin për shkaqet dhe pasojat

Kosova

​Përfshirja e të miturve në krime, psikologët flasin për shkaqet dhe pasojat

Më: 27 mars 2023 Në ora: 11:47
Foto ilustrim

Pothuajse çdo ditë në raportet e Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se të miturit janë të përfshirë në vepra të ndryshe penale. Ata marrin pjesë në rraje, përdorim dhe bartje të armëve të ndryshime, vjedhje, plaçkitje, konsumim dhe shitje të substancave narkotike, shantazhe dhe ngacmime seksuale.

Kur është fjalë te kjo e fundit, vetëm brenda më pak se tre muaj të këtij viti, numri i të miturve të përfshirë në ngacmime seksuale ka shënuar rritje, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, pesë të mitur janë përfshirë në ngacmime seksuale, derisa në vitin 2022 kanë qenë katër raste të tilla.

Kurse, shtatë të tjerë janë përfshirë në pjesëmarrje në rrahje gjatë më pak se tre muaj të këtij viti.

Mungesa e dashurisë nga prindërit, kushtet e rënda ekonomike, filmat dhe këngët me përmbajtje jo adekuate, janë vetëm disa nga faktorët që një numër i të miturve në Kosovë, po zgjedhin rrugën drejtë krimit.

Kështu ka thënë për KosovaPress psikologu, Krist Halilaj, i cili ka thënë se ekzistojnë grupacione kriminale të cilët i nxisin dhe i ofrojnë në rrethin e tyre të miturit. Ai shton se edhe mungesa e kujdesit nga prindërit i shtyn fëmijët të përfshihen në krime.

Halilaj: Mungesa e dashurisë prindërore, po i shtyn të miturit drejtë grupeve kriminale

Dinamikat e jetës në ditët e sotme kanë shkaktuar një pakujdesi gjatë edukimit të fëmijëve dhe kjo pakujdesi transmetohet me një mungesë dashurie tek fëmijët. Fëmijët e miturit në këto momente, kanë nevojë ta marrin këtë dashuri nëpër grupacione të ndryshme. Ekziston edhe varfëria dhe kushtet e rënda ekonomike, të cilat janë predispozues që fëmijët të marrin pjesë në krime...  Jetojmë në një botë ku materializmi na ka kamufluar dhe shpesh herë harrojmë veprimet sociale dhe familjare së bashku, kështuqë nuk është e nevojshme që fëmijëve vetëm t’iu jepet para dhe një afrimitet social apo emocional mes vete... Është e vërtetë që ekzistojnë grupacione kriminale, të cilët i nxisin dhe i ofrojnë në rrethin e tyre, pastaj i ndikojnë që të bëjnë vepra kriminale”, u shpreh ai.

Halilaj po ashtu tha se filmat dhe tekstet e këngëve, me përmbajtje jo adekuate, nxisin të miturit që të përfshihen në vepra kriminale.

Halilaj: Filmat dhe këngët me përmbajtje jo adekuate, nxisin të miturit për krime

Në ditët e sotme ekzistojnë shumë këngë ose filma të cilët nxisin veprat kriminale dhe veprat e ndaluara që janë vepra jonormale zakonisht, përdorimi i drogave. Zakonisht hasim në tekste si mariuana, kokaina të cilat transmetohen si rutina të përditshme apo normale, të cilat nuk duhet me qenë normale dhe nuk duhet të shfaqen si normale”, theksoi Halilaj.

E sociologu Jeton Brajshori, thotë se bashkëbisedimi në mes fëmijës dhe prindit, është i nevojshëm. Ai shton se ka raste kur ankesat e fëmijëve të mos merren seriozisht nga prindërit dhe si pasojë fëmijët janë të destinuar të bëjnë krime. Derisa thotë se shpesh të miturit bëjnë veprime, që të mos duken keq para shoqërisë.

Brajshori: Të miturit bëjnë krime, që të mos duken keq para shoqërisë

Baza e çdo gjëje është familja. Në qoftë se kemi komunikim të mirë mes fëmijëve dhe prindërve në familje, atëherë fëmijët janë më pak të prirur që të kryejnë krime, për arsye se bashkëbisedimi me prindër i bën ata më të lirë dhe për çdo problem që e kanë ata mund që të diskutojnë me ata.... 02:18 Në momentin kur në familje ka dhunë familjare, ka moskomunikim dhe shpesh ndodhë që prindërit fëmijët mos t’i marrin seriozisht me ankesat e tyre, atëherë dhe këta janë më të destinuar që të bëjnë krime... Shpesh dhe shoqëria na shtyn të bëjmë krime për shkak që dukemi se po dalim keq para shoqërisë edhe në qoftëse nuk jemi të prirur ta bëjmë atë krim, e bëjmë për t’i kënaqur shoqërinë”, theksoi ai.

Sipas Brajshorit, një pjesë e madhe e të miturve që përfshihen në krime, janë të gjinisë mashkullore. Ai thotë se kjo shoqërohet me fazën e pubertetit, pasi mundohen të duken “IN” para shoqërisë, duke prezantuar diçka të re tek ata.

Brajshori: Gjinia mashkullore mbizotëron në përfshirjen në krime

“Me aq sa kam parë në terren dhe kam biseduar me njerëz rreth kësaj problematike, shumica e tyre janë të gjinisë mashkullore. E kemi këtë periudhën problematike të moshës së adoloshencës, kur fillojnë fëmijët të hyjnë në pubertet, në moshën e adoloshencës, dhe në këtë mënyrë iu duket vetja që duhet të bëjnë diçka të re, duhet të tregohet pak më “IN”, në shoqëri”, tha Brajshori.

Brajshori shton se në mënyrë që të reduktohet numri i të miturve në përfshirjen në krime, duhet të punohet me ata së bashku me sociologë e psikologë, si dhe të mos mungojnë trajnimet nga persona kompetentë.

Brajshori: Qendra për punë sociale duhet të bëjë trajnime, që t’u dal në ndihmë këtyre personave

“Duhet të kemi kujdes në familje, në shkolla të ketë kampanja sensibilizuese, të punohet me sociolog dhe psikologë në këtë aspekt sa më shumë dhe poashtu është detyrë e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale së bashku me grande ndërkombëtare apo qeveritare që të bëjnë trajnime dhe edukime të trajnerëve që të merren me gjëra të tilla, duke i ndihmuar personave që të mos bëjnë krime sa janë të mitur”, u shpreh ai.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, përgjatë vitit 2022, janë përfshirë 20 të mitur në pjesëmarrje për rrahje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat