​Kosova me prevalencë të ulët të AIDS-it

Kosova

​Kosova me prevalencë të ulët të AIDS-it

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me rastin e Ditës Botërore të HIV/AIDS, ka bërë të ditur se Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të kësaj sëmundjeje në mesin e popullatës së përgjithshme, dhe se që nga viti 1986 deri 2023 janë raportuar 177 raste, prej tyre 51 të vdekur.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se Dita Botërore e HIV/AIDS, është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mobilizuar të gjithë akterët, që të dyfishojnë përpjekjet për suksesin e përgjigjes ndaj HIV-it.

“Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme, dhe me prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personat që injektojnë drogë, dhe punonjëset e seksit”, tha Ramadani.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se udhërrëfyesi për shërbimet e testimit të HIV, është duke u përditësuar, me qëllim të gjetjes së modaliteteve sa më të përshtatshme për qytetarët, dhe praktikave më të mira, për rritjen e shkallës së testimit dhe hapjen e qendrave tjera për testim vullnetar.

“Janë miratuar parandalimi i transmetimit të HIV-it nga nëna te fëmija dhe mbikëqyrjen e rastit me HIV/AIDS. Bazuar në këto politika, sot Ministria e Shëndetësisë, siguron falas diagnostikim dhe trajtimin e rasteve me HIV”, tha ajo.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, ka bërë të ditur se në këtë klinikë këtë vit janë duke u trajtuar 65 pacientë. Ndërsa, theksoi se nga viti 2020 deri më tani kanë pasur një pacient që ka vdekur nga HIV.

“Klinika Infektive ka planifikuar që në gjysmën e parë 2024, të fillojë me Qendrën për PREP, në mënyrë që ta bëjmë profilaksën para ekspozimit”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se Drejtoria e Shëndetësisë, i ka kushtuar rëndësi të veçantë parandalimit të HIV/AIDS dhe se në kryeqytet e kanë hapur qendrën e parë, për këshillim dhe testim vullnetar për HIV, Hepatit B dhe C, dhe sifilis.

“Këshillimorja është hapur në ambulancën e mjekësisë familjare, në lagjen e studentëve në kryeqytet, me përkrahje të CDF”, theksoi ai.

Menaxheri i Programit të CDF, Lulzim Cela, tha se që nga viti 2011, CDF është marrës kryesor i granteve të Fondit Global për Programet e HIV-it dhe Tuberkulozit në Kosovë, dhe sipas tij, bashkërisht me institucionet qeverisëse dhe shëndetësore të Kosovës kanë arritur ta vënë nën kontroll rastet me AIDS.

Artan Mesi, zyrtar për TBC, HIV/AIDS dhe hepatit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë Prishtinë, renditi mesazhet kryesore nga raporti vjetor i OBSH-ECDC mbi mbikëqyrjen e HIV/AIDS.

Një nga këto mesazhe ishte se ekziston një mospërputhje në rritje midis infeksioneve të reja të vlerësuara dhe diagnozave të HIV-it. Kjo tregon se popullsia e njerëzve me HIV të pa diagnostikuar në rajon po rritet dhe vendet duhet të përmirësojnë përpjekjet për të gjetur më shumë njerëz me HIV të pa diagnostikuar.

Ndryshe, 1 dhjetori në të gjithë botën shënohet si Dita ndërkombëtare për luftimin e infeksionit HIV/AIDS, duke u shënuar shumë aktivitete përmes së cilave qytetarët informohen në lidhje me këtë problem shëndetësor.

Që nga viti 1986 deri 2023, në Kosovë janë raportuar 177 raste të HIV dhe AIDS. Deri më tani 51 persona kanë humbur jetën si pasojë e HIV-it. Në vitin 2023 janë raportuar 15 raste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat