​Ademi e Rama thonë se Liga e Shkollave do të shtrihet në të gjithë Kosovën

Kosova

​Ademi e Rama thonë se Liga e Shkollave do të shtrihet në të gjithë Kosovën

Më: 30 prill 2025 Në ora: 15:05
Foto nga takimi

Liga e Shkollave të Prishtinës është projekti i ri sportiv dhe edukativ që synon të kultivojë talentet e rinj dhe të forcojë frymën e garës së ndershme mes nxënësve.

Kjo ligë, e cila krijohet nga bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, synon të jetë një platformë për zbulimin e yjeve të ardhshëm të futbollit dhe të promovojë sportin si vlerë edukative e shoqërore.

Kryetari i FFK së, Agim Ademi, në hapjen zyrtare theksoi se ky program që po nis në kryeqytet do të shtrihet në të gjithë Kosovën viteve në vazhdim. Ai shtoi se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme ta kenë sportin si aktivitetin e tyre kryesor dhe të qëndrojnë sa më largë përdrimit të tepruar të pajisjeve teknologjike.

Ademi: Projekti i Ligave të Shkollës do të shtrihet në të gjithë Kosovën

“Po e realizojmë bashkarisht këtë projekt shumë të rëndësishëm për ne. Sot po e fillojmë këtë aktivitet të rëndësishëm në kohën e dixhitalizimit ku bashkohet edukimi, do të thotë shkollat dhe futboll e aktiviteti fizik që këta fëmijë një kohë të gjatë t’i shkëpusim nga kompjuterët dhe telefonat dhe sigurisht do të gjejmë edhe shumë talent të futbollit këtu. Ne po e fillojmë me kryeqytetin, me Prishtinën, por sipas programit të Federatës së Futbollit ne do të vazhdojmë në të gjithë Kosovën, në të gjitha komunat që të kemi edhe më shumë shkolla të organizuara siç i kemi në Prishtinë”, theksoi Ademi.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kjo ligë është nismë e mrekullueshme për arsye se i kontribuon mirëqenies së shëndetit fizik dhe mendor dhe ofron mundësi që të hulumtohen dhe identifikohen talentët e rinj të futbollit.

Rama: Ky është projekt që nxjerrë në pah talentët e futbollit

“Sot po fillojmë këtu me futboll të vogël, mirëpo shpresoj që shumë shpejtë me investime të shumta në kryeqytet dhe në të gjithë Kosovën që këto programe do të vazhdojnë edhe me futbollin e të mëdhenjve. Po ashtu, jo vetëm për djelmoshat e mrekullueshëm që i kemi këtu por edhe për vajzat e mrekullueshme...Përveç që na duhet ta kemi shëndetin mendor, duhet ta kemi edhe shëndetin fizik dhe njëra pa tjetrën nuk bëjnë, prandaj sa më të shëndetshëm që jemi fizikisht aq më të shëndetshëm jemi mentalisht edhe kemi mundësi çdo vit shumë e më shumë që preh Grassroots të gjejmë talent të rinj”, deklaroi Rama.

Ndeshja e parë e kësaj lige u zhvillua ndërmjet ekipeve të: SHFMU “Dardania” vs. SHFMU “Faik Konica”, derisa në vazhdim, pjesë e kësaj lige do të jenë gjithsejtë 44 shkolla fillore dhe 13 të mesme me mbi 500 nxënës të përfshirë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat