Interesim më i ulët i qytetarëve për të dhuruar gjak këtë vit

Kosova

Interesim më i ulët i qytetarëve për të dhuruar gjak këtë vit

Më: 18 qershor 2025 Në ora: 20:41
Ilustrim

Tash e sa ditë janë pozicionuar në shesh.

Doktorë e infermierë të Qendrës së Transfuzionit të Gjakut po presin qytetarë që duan të dhurojnë gjak.

Kjo pasi këto ditë u shënua java ndërkombëtare e dhurimit të gjakut.

Këtë të mërkurë, për të ndihmuar çdokënd që ka nevojë, doli edhe Agim Emini.

Për të, kjo është hera e 15-të.

“Ai që është i shëndetshëm ai që e ndjen veten mirë është mirë me dhanë edhe për vete është më mirë edhe e ka një lehtësim, unë ashtu e ndjej”, tha Agim Emini.

E se ndjehet mirë kur dhuron gjak e thotë edhe ky qytetar.

“Është ndjesi shumë e mirë kur e din që dikush i cili ka nevojë për ty e që është pa shumë pse mos me dhurua”, tregoi dhuruesi i gjakut, Çlirim Sahiti.

Të njëjtën ndjesi e ka edhe Jasin Ramadani.

“Mënyra më e mirë për me shpëtua jetën ditëve të sotme jetë është me dhurua gjak, kjo është mënyra më fisnike për me i parandaluar shumë gjëra të këqija që munden me ndodhë në shëndetin tonë”.

Se dhurimi i gjakut është i rëndësishëm e thonë edhe nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut.

Por siç thonë ata, këtë vit, ka pasur një ulje të interesimit për të dhuruar gjak.

“14 qershori është dita e dhurimit të gjakut, ne këtë vit javën e dhurimit të gjakut e kemi filluar me 11 qershor deri me datën 19 interesimi i dhuruesve ka qenë i kënaqshëm. Mendoj se vitin e kaluar ka qenë më mirë, këtë vit pak më i dobët interesimi ka qenë”, tregon doktoresha, Kimetane Bela-Mala.

E për infermieren Erëza Krasniqi, ky mision ka një ndjesi të veçantë.

“Dhuruesit e gjakut janë njerëzit e shëndetshëm fakti që punon me njerëz të shëndetshëm për ne është shumë më lehtë si infermier të kryejmë punën tonë. Është ndjenjë shumë e mirë kur marrim pjesë në një mision që është shpëtim jetë. Realisht moto jonë është dhuro gjak shpëto jetë e deri diku jemi pjesë e këtij mision të shenjtë që po e kryejnë këta qytetar”.

Java e dhurimit të gjakut përfundon të enjten.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat