Kryetari i Komunës së Vushtrrisë dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për mandatin e dytë, Ferit Idrizi, është takuar sot me të rinj të komunës, me të cilët ka zhvilluar një bashkëbisedim për idetë dhe mundësitë që ofron mandati i ardhshëm qeverisës.
Në këtë takim, Idrizi theksoi se rinia ka qenë dhe mbetet një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes komunale. Ai përmendi investimet e deritanishme për të rinjtë, duke përfshirë subvencione, bursa studimi dhe rritje të buxhetit në sektorë që nxisin zhvillimin rinor.
“Ky angazhim nuk ka qenë i përkohshëm. Ai do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, sepse Vushtrria zhvillohet vetëm kur rinia ecën përpara,” u shpreh Idrizi gjatë takimit.
Takime të tilla janë pjesë e një serie aktiviteteve që kanë për qëllim afrimin e institucioneve komunale me qytetarët, në veçanti me të rinjtë, duke i bërë ata pjesë aktive të vendimmarrjes dhe zhvillimit lokal.