Kurti: Podujeva ka përparuar me projekte të prekshme, nesër votoni Bulliqin dhe VV-në

Kosova

Kurti: Podujeva ka përparuar me projekte të prekshme, nesër votoni Bulliqin dhe VV-në

Nga: A.SH Më: 11 tetor 2025 Në ora: 19:33
Shpejtim Bulliqi dhe Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Podujeva ka njohur zhvillim të madh gjatë katër viteve të fundit, me investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.

Ai tha se numri i çerdheve është rritur nga një në nëntë dhe se është ndërtuar Poliklinika Specialistike me vlerë 2.43 milionë euro, që ofron 15 shërbime dhe repart dialize. Kurti premtoi se në mandatin e ardhshëm do të ndërtohen impianti i ujërave të zeza, ngrohtorja qendrore dhe Zona Industriale.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Podujevës ta votojnë Shpejtim Bulliqin dhe Lëvizjen Vetëvendosje me numrin 105, “për të vazhduar zhvillimin dhe progresin”.

Postimi i plotë:

Projekte të prekshme për qytetarët e investime të qëndrueshme ka pasur Podujeva këto 4 vjet. Në arsim, e gjetëm Podujevën me vetëm 1 çerdhe. Tash i ka 9 të tilla të cilat i kemi ndërtuar me kryetarin Shpejtim Bulliqi e në mandatin e tij të ardhshëm do t'i shtojmë edhe 14 të tjera.

Në shëndetësi kemi bërë një hap të madh përpara me përurimin e Poliklinikës Specialistike, një investim prej 2.43 milionë euro, që ofron 15 shërbime specialistike, e ku funksionon reparti i dializës, që më parë mungonte. Sot pacientët marrin kujdesin e domosdoshëm pa pasur nevojë të udhëtojnë jashtë Podujevës.

Mandatin e ardhshëm do ta ndërtojmë impiantin e ujërave të zeza, ngrohtoren qendrore të qytetit dhe Zonën Industriale, e cila do të sjellë rritje ekonomike e krijojë vende të reja pune duke e kthyer Podujevën në një qendër prodhimi e zhvillimi.

Nesër nuk ka dilema. Podujeva e voton Shpejtim Bulliqin dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! me numrin 105, për të vazhduar punën e mirë e të drejtë, zhvillimin dhe progresin për qytetin dhe fshatrat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat