Në kishën katolike shqiptare në Brus të Lipjanit, mëngjesin e së martës janë vjedhur gjësende fetare, raporton kp.
Deri më tani nuk kanë arritur të identifikohen personat që kanë kryer këtë vjedhje, meqë në këtë kishë e as përreth nuk ka kamera, raporton KosovaPress.
Prifti i kësaj kishe katolike, Don Kolë Zefi i ka treguar KosovaPress-it se kur ka ndodhur ky rast dhe çfarë është vjedhur.
Menduan që ka dukat, hajnat vodhën kishën shqiptare para sabahut
“Rasti ka ndodhur të martën para sabahut, diku rreth orës 3 përafërsisht e kanë demoluar kishën dhe kanë vjedhur ketë këtu, sigurisht kanë menduar që është ari dhe atje brenda në tjetrën dhomë, gjë tjetër nuk kanë prekur…përafërsisht nuk e di sa ka qenë, por këto kushtojnë, sa euro, sa mijë, nuk e di”, tha ai.
Ai shtoi se kjo është hera e parë që brenda kësaj kishe janë vjedhur gjësende fetare.
Kjo kishë katolike shqiptare daton qysh prej 90 vitesh.
Hera e parë që na u vodh kisha, jam i shqetësuar
“Më ka shqetësuar normalisht se kjo për herë të parë ndodhë në këtë kishë, kurrë nuk ka ndodhur por po ndodhë në shumë kisha… në askënd nuk dyshoj, policia e ka në dorë, tragun e kemi gjet këtu para derës edhe në drejtim të Janjevës është”, shton ai.
Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Brahim Shatrolli tha se njësia e hetimeve dhe forenzikës është duke e hetuar këtë rast. Megjithatë, ende nuk ka persona të identifikuar si të dyshuar për vjedhje.
Policia konfirmon se hajnat vodhën në kishë pajisje për rite fetare
“Rreth orës 09:10 (dje) është raportuar rasti në kishën katolike në fshatin Brus se nga disa persona të paidentifikuar, deri janë vjedhur disa pajisje të cilat shërbejnë për rite fetare aty. Policia e Kosovës, saktësisht stacioni policor në Lipjan i është përgjigjur menjëherë rastit me njësinë e hetimeve dhe njësinë e forenzikës, të cilët e kanë trajtuar rastin në fjalë dhe në bashkëpunim me personat përgjegjës të kishës katolike, priftin e kishës dhe një person përgjegjës i cili e ka vërejtur mungesën e pajisjeve në fjalë janë takuar atje dhe e kanë trajtuar rastin ne fjalë. Këto janë pajisje të cilat nuk janë të përmasave te mëdha edhe që ka mundur të jetë personi edhe një këmbësor i rastit aty. Sipas informacioneve kisha nuk ka qenë e mbyllur me çelës, gjë që personat e dyshuar apo personi i dyshuar pa bërë ndonjë dëm ka depërtuar, ka hyrë brenda dhe ka dalë për shkak se nuk ka qenë e mbyllur me ndonjë çelës”, ka njoftuar Shatrolli.
Kjo vjedhje është cilësuar si e rëndë marrë parasysh që është kryer në një objekt fetar, siç parashohin ligjet e Kosovës.