Mësimdhënës nga e gjithë Kosova për disa muaj janë mbledhur për të ndarë përvoja, ide dhe modele inovative në arsim. Kjo fal organizimit të nismës “Praktika të Suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, organizuar nga Akademia Dukagjini.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse u theksua se nisma përfshiu trajnime, prezantime dhe 13 sesione të ndarjes së praktikave, duke u shndërruar në një platformë bashkëpunimi ndërmjet mësimdhënësve nga të gjitha komunat.
Drejtori ekzekutiv i akademisë, Blerim Muhaxhiri, tha se kjo nismë kulmon një rrugëtim të nisur në nëntor të vitit të kaluar, duke vlerësuar veçanërisht guximin e mësimdhënësve për të prezantuar punën e tyre.
“Ju nuk keni prezantuar vetëm një orë mësimore, ju keni ndarë modele, ide dhe frymëzim. Praktikat që keni prezantuar gjatë gjithë këtyre muajve nuk do të mbesin vetëm në këtë sallë, por ato do të botohen dhe do të shpërndahen në të gjitha shkollat e Kosovës, në mënyrë që të shërbejnë si model, si frymëzim, si udhërrëfyes praktik për të gjithë mësimdhënësit e tjerë në punën e tyre të përditshme. Ato do të hyjnë nëpër shkolla, nëpër klasa, nëpër orë mësimore, dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt te nxënësit tanë, sepse nga një praktikë e mirë mund të lindë një mësim i mirë, nga një mësim i mirë një nxënës i motivuar, dhe nga një nxënës i motivuar, një e ardhme më e mirë”, tha Muhaxhiri.
Mësimdhënësja Latifa Aliu ndau përvojën e saj, duke vlerësuar ndikimin profesional dhe personal të pjesëmarrjes në këtë program.
“ Në një kohë kur bota po përjeton një transformim të shpejtë digjital, ne si arsimtarë e dimë që nuk jemi vetëm transmetues të dijes, por gjithashtu kemi edhe një rol më të rëndësishëm. Ne nuk jemi vetëm transmetues të dijes, por jemi edhe udhërrëfyes të mendimit kritik... Në këtë fjalim, unë dua të kem kënaqësinë që të ndaj me juve një praktikë të suksesshme atë ditë e quajtur "Six Pens Method" ose në gjuhën angleze meqë jemi në kursin e avancuar të gjuhës angleze "Six Hats Method" e Edëard de Bonos. Dhe me thënë të drejtën, kjo qasje inovative më ka pëlqyer shumë dhe e pashë se ishte shumë relevante edhe kështu unë e zbatoj edhe në klasën time. Kjo metodë mundëson zhvillimin e katër aftësi gjuhësore edhe jo vetëm. Përfshin gjithashtu edhe kompetencat e shekullit të XXI për të cilat ne vazhdimisht duam t'i arrijmë si arsimtarë në të gjitha fushat kurrikulare, siç janë: mendimi kritik, kreativ, bashkëpunimi dhe komunikimi.”, tha Latifaj.
Ndërkaq, mësimdhënësi Hajriz Tahiri foli për rëndësinë e ndryshimeve në arsimin kosovar dhe rolin e bashkëpunimit në avancimin e tij.
“Historia e arsimit në Kosovë nuk është thjesht një rrëfim për viteve të kaluara, është një histori e sakrificës, qëndresës dhe besimit të palëkundur në të ardhmen tonë. Ishte koha kur drita e dijes u tentua të shuhej, por u mbajt gjallë shpresa e palëkundur e një populli, i cili me zemër dhe me shpirt rrezoi themelet e një arsimi. Ndryshimi erdhi. Por ndryshimi më i vlefshëm në këtë histori nuk ishin vetëm shkollat dhe përvoja tona akademike, ndryshimi erdhi në mendjen tonë kolektive, nga frika në guxim, nga heshtja në zë, nga mungesa e mundësive në krijimin e tyre. Sot sfida jonë nuk është të kemi shkolla sepse shkollat i kemi. Sot nuk është sfida jonë të kemi të diplomuar, por njerëz të diplomuar, njerëz kreativë me besim dhe vizion për të ndryshuar sistemin arsimor të Kosovës. “,tha Tahiri.
Profesori Bardhyl Musai e cilësoi mësuesin si “arkitekt të të menduarit”, duke theksuar se kjo nismë dëshmoi fuqinë e krijimtarisë dhe lirisë në mësimdhënie.
“Kur flasim për arkitektët, arkitekti nuk ndërton, nuk projekton thjesht ndërtesa. Ai projekton hapësira ku njerëzit jetojnë, ndjejnë dhe rriten. Arkitekti mendon për funksionimin dhe qëndrueshmërinë dhe estetikën e ndërtesës. Në të njëjtën mënyrë, ju mësues nuk ndërtoni vetëm dije, ju ndërtoni struktura të të menduarit dhe hapni horizonte, krijoni mekanizma që i qëndrojnë kohës dhe sfidave të jetës. Nisma jonë "Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe nxënie" është dëshmi e gjallë e kësaj arkitekture të të menduarit. Ajo nuk ishte thjesht një veprimtari profesionale, por u shndërrua në një manifestim të energjisë krijuese që buron nga ju dhe nga çdo skaj i Kosovës, nga qytetet e mëdha deri në fshatrat më të largëta. Ne pamë mësues që sollën modele origjinale, ide të freskëta, qasje frymëzuese. Pamë guxim për të provuar, për të eksperimentuar, për të ndarë. Dhe pikërisht këtu lidhet një e vërtetë e madhe, e fuqishme: liria jep rezultate. Ky rezultat erdhi përmes lirisë së ushtruar me përgjegjësi dhe disiplinë dhe u arrit me punë pa lodhje.”, tha Musai.
Në përmbyllje, organizatorët ndanë certifikata për pjesëmarrësit që prezantuan praktikat e tyre të suksesshme, duke theksuar se ndikimi i kësaj nisme do të vazhdojë përmes zbatimit të praktikave në shkollat e vendit dhe shndërrimit të saj në një traditë të qëndrueshme në arsimin kosovar.