​Moti për vikend

Kosova

​Moti për vikend

Më: 4 shtator 2026 Në ora: 20:25
Ilustrim

Vikendi i 5 dhe 6 shtatorit do të sjellë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta në Kosovë, më të theksuara në zonat malore. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nuk parashihen reshje, ndërsa temperaturat gjatë ditës do të mbeten të larta.

Të shtunën, temperaturat minimale do të lëvizin nga 9°C deri në 12°C, ndërsa maksimalet nga 29°C deri në 34°C. Era do të jetë kryesisht e dobët, nga drejtime të ndryshueshme, me shpejtësi 1–4 m/s.

Të dielën, moti do të jetë po ashtu kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta. Temperaturat minimale pritet të jenë 10–15°C, ndërsa maksimalet 28–31°C. Era do të fryjë e dobët deri mesatare, kryesisht nga veriu dhe verilindja.

IHMK-ja bën të ditur se kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të mira, megjithëse temperaturat e larta gjatë ditës mund të shkaktojnë ngarkesë të lehtë termike. Ndërkohë, netët do të jenë më të freskëta dhe më të përshtatshme për pushim.

Kushtet agrometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për punët bujqësore, sidomos për vjeljen dhe pjekjen e kulturave. Për shkak të mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta, kulturat që janë ende në fazat aktive të zhvillimit mund të kenë nevojë për ujitje.

Indeksi UV gjatë vikendit do të jetë mesatar deri i lartë, në vlerat 5–6, me nivele më të larta rreth mesditës. IHMK rekomandon mbrojtje nga ekspozimi i zgjatur në diell.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat