Inxhinieri dhe profesori universitar Xhafer Emini, i cili për shumë vite drejtoi Fabrikën e Akumulatorëve në Mitrovicë dhe kontribuoi në zhvillimin industrial e ekonomik të vendit, ka ndërruar jetë më 8 nëntor 2026.
Me pikëllim është bërë i ditur lajmi për ndarjen nga jeta të Xhafer Eminit, në moshën 87-vjeçare, një prej personaliteteve që dha kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë, ekonomisë dhe arsimit në Kosovë.
Emini ishte inxhinier dhe profesor universitar, ndërsa gjatë karrierës së tij shumëvjeçare mbajti pozita të rëndësishme drejtuese në sektorin industrial të vendit.
Ai ishte pjesë e udhëheqjes së Kombinatit Trepça dhe për shumë vite shërbeu si drejtor i përgjithshëm i Fabrikës së Akumulatorëve në Mitrovicë.
Kontributi i tij në industrinë kosovare u shtri edhe në Pejë, ku projektoi dhe drejtoi Fabrikën e Akumulatorëve “Bateria”.
Përveç angazhimit në sektorin industrial, Xhafer Emini ishte edhe anëtar i Bordit Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës, si dhe profesor në Fakultetin e Makinerisë në Universitetin e Prishtinës.
Përmes punës, profesionalizmit dhe përkushtimit të tij, ai la gjurmë në zhvillimin industrial dhe ekonomik të Kosovës, duke kontribuar edhe në përgatitjen e kuadrove të reja profesionale.
Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit të të ndjerit do të mbahet të martën, më 10 nëntor 2026, në orën 14:00, në varrezat e Shipolit në Mitrovicë.
Familja Emini ka falënderuar të gjithë ata që ndajnë dhimbjen me ta në këto momente të vështira.