Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, ka realizuar një operacion policor në Prishtinë, gjatë të cilit janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen për shit-blerje të paautorizuar të substancave narkotike, mbajtje në pronësi apo posedim të paautorizuar të armëve, si dhe manipulim me prova.
Operacioni është zhvilluar pas një pune të gjatë hetimore dhe operative, gjatë së cilës zyrtarët policorë kanë arritur të identifikojnë dhe zbulojnë personat e dyshuar për kryerjen e këtyre veprave penale.
Pas përfundimit të procedurave të intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, dy nga personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të personave të përfshirë.