5 raste të dhunës në familje në Kosovë, 3 të arrestuar dhe 1 në kërkim policor

Kronikë

5 raste të dhunës në familje në Kosovë, 3 të arrestuar dhe 1 në kërkim policor

Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 08:53
Fotoilustrim

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë më 2 dhe 3 nëntor, ku 3 persona janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Gjakovë, Skenderaj dhe Ranilluk. Në 3 prej tyre, viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor.

Në Prishtinë, më 3 nëntor, rreth orës 14:35, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në Gjakovë janë raportuar 2 raste. Në të parin, rreth orës 21:30, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në rastin tjetër, të raportuar në orën 23:10, një burrë dyshohet se ka tentuar ta sulmojë dhe e ka kanosur një burrë tjetër. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

Në Skenderaj, më 2 nëntor, rreth orës 20:40, një burrë është shoqëruar në stacionin policor pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është liruar pas intervistimit, me vendim të prokurorit. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Një tjetër rast është regjistruar në Ranilluk, më 3 nëntor, rreth orës 15:15, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një tjetër. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Sipas të dhënave të Policisë, nga 5 rastet e raportuara, 3 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, 1 është liruar pas intervistimit dhe 1 tjetër është në kërkim policor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat