“Monstra”, opozita shqiptare kërkoi sqarim nga kryeministri Zaev

Maqedonia

“Monstra”, opozita shqiptare kërkoi sqarim nga kryeministri Zaev

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 16:15
Zoran Zaev

Opozita shqiptare e pyeti kryeministrin Zoran Zaev përse nuk i publikoi bombat për rastin “Monstra”. Skender Rexhepi nga partia Alternativa në kuadër të seancës për pyetje deputetësh, kërkoi nga Zaev t’i përgjigjet qytetarëve sinqerisht pasi sipas tij njerëz të pafajshëm vuajnë dënime me burg.

“Pse ndodhi që këto bomba të mos publikohen? Pse njerëz të pafajshëm vuajnë burg? Konsideroj që na duhet një përgjigje për të gjithë qytetarët, pse rasti i tillë mbetet aty me akuza të rënda kur ka dëshmi se nuk është ashtu”, tha Skender Rexhepi, deputet i AAA-së.

Zaev u përgjigje se gjykimi ishte transparent dhe se bombat u shqyrtuan si dëshmi në procedurë madje në seanca publike.

“E vërteta është shumë e rëndësishme dhe duhet t’i jepet shansi të shpaloset gjithmonë. Prokurorë të ri e kanë udhëhequr akuzën, gjykatës të ri e kanë gjykuar rastin. Ishin të pranishëm gazetarët dhe mediat dhe i panë dëshmitë publikisht qofshin bomba ose transkripte nga bombat apo dëshmi me karakter tjetër të siguruara dhe të shqyrtuara në procedurë”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

Lidhur me vendimin gjyqësor për rastin “Monstra”, të premten në Shkup është thirrur protestë të cilës do t’i bashkohen edhe opozita shqiptare. Gjykata Penale në Shkup para dy ditësh, dënoi me burg të përjetshëm Afrim dhe Agim Ismailoviq dhe Alil Demirin. Haki Aziri u dënua me 9 vite ndërsa Fejzi Aziri me 15 vite burg. Sami Luta u lirua në mungesë të provave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat