Osmani: BDI ka rritje në krahasim me 2017, Tetovën e fitojmë në raundin e dytë

Maqedonia

Osmani: BDI ka rritje në krahasim me 2017, Tetovën e fitojmë në raundin e dytë

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 23:33
Bujar Osmani

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, shprehet se Bashkimi Demokratik për Integrim është konfirmuar në zgjedhjet lokale si parti e parë e shqiptarëve.

“Kemi marrë 124 mijë vota për kandidatët dhe rreth 104 mijë vota për këshilltarët e komunave. Rritje thelbësore në krahasim me rezultatin e 2017. BDI është konfirmuar si partia që ka mbështetjen më të madhe tek shqiptarët”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së.

Për rezultatin e arritur në Komunën e Tetovës qytet ku BDI ka selinë qendrore, z. Osmani tha se prania e disa kandidatëve e bënte shumë të vështirë fitoren në raundin e parë.

“Ne hyjmë në raundin e dytë me epërsi me rreth 11 mijë vota në krahasim me kandidatin e dytë. Jemi fitues edhe në Tetovë”, tha ministri i Jashtëm i RMV.

Përballë kandidatit të Lëvizjes Besa, Biljal Kasami, z. Osmani tha se BDI do të kërkojë mbështetje nga LSDM pavarësisht se të dy partitë shqiptare janë pjesë e koalicionit qeverisës të Zoran Zaev.

“Ne kërkojmë mbështetjen e LSDM kërkojmë dhe presim mbështetje prej tyre. Mbetet vlerësimi i tyre por unë mendoj se ky do të ishte vendimi i drejtë”, deklaroi zyrtari i lartë i BDI.

Për rënie e madhe të votave në Komunën e Kërçovës me mbi 8 mijë vota, z. Osmani u justifikua duke thënë se “kishte përçarje të votës pasi kishte dy kandidatë shqiptarë dhe një maqedonas”.

Në raundin e dytë ku do të ketë një betejë mes BDI dhe VMRO-DPMNE, ai në Euronews Albania tha se Koalicioni për Shqiptarët do të mbështesin kandidatin maqedonas. E njëjta gjë tha ai do të ndodhi në Vrapçishtë dhe Haraçinë.

“BDI asnjëherë nuk ka vënë në pikëpyetje interesat kombëtare karshi interesave partiake apo kalkulimeve elektorale”, tha ai duke shtuar se në RMV do të ishte e mjaftueshme që të kishte vetëm dy parti shqiptare pasi krijimi i shumë partive ka sjellë fragmentizim dhe dobësim të shqiptarëve.

Sipas z. Osmani shumica parlamentare është e qëndrueshme, madje ai paralajmëroi se mazhoranca do të zgjerohet me deputetë të tjerë pas zgjedhjeve.

“Po zhvillohen bisedime dhe kjo do të shpaloset menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve”, deklaroi ministri i Jashtëm duke shtuar se bëhet fjalë për afrimin e deputetëve nga parti të vogla opozitare.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani shtoi se BDI është rikonfirmuar si parti e parë e shqiptarëve ndërsa lidhur me rezultatin e LSDM u shpreh se “votuesit i kanë dhënë një mesazh” pasi nuk kanë arritur rezultatin e pritur, por shtoi se nuk ka situatë për zgjedhje të parakohshme.

Aktualisht mazhoranca qeverisëse ka vetëm dy deputetë më shumë se sa opozita dhe pas rezultatit të kënaqshëm në raundin e parë kreu i VMRO-DPMNE ka folur për nevojën për zgjedhje të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat