Rriten çmimet e ushqimeve në Maqedoni

Maqedonia

Rriten çmimet e ushqimeve në Maqedoni

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 20:19
Foto ilustrim

Çmimet e disa produkteve muajt e fundit janë rritur për 50 për qind. Rritja për çdo ditë vërehet në produktet bazë si mielli, sheqeri dhe kripa, të cilat janë rritur për 20 % krahasuar me një vit më parë. Ekspertët e ekonomisë kërkojnë që autoritetet të marrin masa për të zbutur ndikimin ndaj qytetarëve. Në vend të ngrirjes së çmimeve, të ulet TVSH-ja e produkteve ushqimore nga 18 në 5 për qind dhe të subvencionohen kompanitë që për shkak të rritjes së energjisë, rrisin çmimet e produkteve.

Nga Ministria e Ekonomisë mbeten në qëndrimin se, nëse duhet do të merren masa, por për momentin po ndiqet situata.

“Ministria e Ekonomisë e ndjek lëvizjen e çmimeve të produkteve elementare ushqimore që i publikon Enti Shtetëror i Statistikës”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë. Për komunitetin e biznesit, çmimet e produkteve po rriten për shkak të rritjes globale të çmimeve në botë. Ngrirja e çmimeve mund të jetë vetëm për produktet bazë, por jo edhe për të tjerat, sepse do të ndikojë negativisht në ekonomi, pohojnë nga Oda ekonomike.

“Një ekonomi e vogël si e jona nuk mund të ndikojë shumë në këto zhvillime që kanë përmasa të mëdha, ngrirja e çmimeve do të ndikojë negativisht ndaj ofertës respektivisht do të ndikojë ndërprerjen e shpërndarjes së shumë produkteve”, thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike.

Çmimi i vajit për ushqim sërish sillet nga 90 deri në 100 denarë, qumështi 50 deri 60 kurse sheqeri 40 deri 47. Nga fillimi i vitit paga mesatare në vend është rritur për vetëm 370 denarë dhe tani arrin në 28.642 denarë. Shporta konsumatore për një familje katër anëtarëshe arrin 34.000 denarë në muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat