VOA: Parlamenti miraton ngritjen e pagës minimale

Maqedonia

VOA: Parlamenti miraton ngritjen e pagës minimale

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 21:06
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e miratoi ligjin për ngritjen e rrogës minimale. 90 ligjvënës votuan pro pas një debati të gjatë e të shoqëruar me akuza midis opozitës dhe qeverisë. Pagat minimale mujore që aktualisht janë 15,200 denarë (rreth 280 dollarë) do të ngriten në 18 mijë denarë (rreth 330 dollarë). Ato do të llogariten nga muaji mars dhe do të paguhen në fillim të prillit. Rreth 80 mijë punëtorë të sektorit publik edhe të atij privat do të përfitojnë nga kjo rritje.

Deputetët e opozitës, të cilët e votuan projekt-ligjin, kritikuan shumicën parlamentare që nuk e miratoi një amendament të saj që parashihte ngritjen e pagave edhe në disa fusha të tjera, si atë të arsimit.

Vendimi për ngritjen e pagës minimale u arrit pas këmbënguljesh dhe kërcënimesh për protesta të sindikatave në një kohë kur vendi po përballet me vështirësi energjetike dhe shëndetësore, si rrjedhojë e pandemisë së COVID-19. Sindikatat kërkuan që pagat e tjera të rriten gradualisht.

Shteti do t’i ndihmojë me subvencione kompanitë shtetërore dhe ato private të cilat do të detyrohen t’ua rrisin për rreth 2800 denarë (rreth 50 dollarë) pagat mujore punëtorëve të tyre. Qeveria planikfikon të ndajë 16 milionë euro nga buxheti deri në fund të vitit për të mbuluar dallimet në të ardhurat e punëtorëve.

Por kjo gjë ka krijuar shqetësime tek disa kompani dhe punëdhnës, teksa një prej odave ekonomike të vendit ka njoftuar për disa kompani që janë në prag të mbylljes apo që po largojnë punëtorët për shkak të detyrimit për rritjen e pagave, megjithëse qeveria pritet t’i ndihmojë ato përmes subvencioneve.

Opozita vëren se rroga minimale e rritur në një kohë kur po shënohet inflacion dhe thellohet varfëria, dhe kur nuk u rriten pagat punonjësve të sferave të tjera do të krijojë komplikime. Pagat minimale po barazohen me pagat e punonjësve, të cilët kanë klualifikime më të larta, sipas opozitës. Edhe sindikatat presin që rroga mesatare të ngritet brenda pak muajve të ardhshëm.

Rroga mesatare mujore në Maqedoninë e Veriut është rreth 30 mijë denarë, ose rreth 487 euro. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare ka shënuar ngritje nga 12 deri në 13 përqind në sektorët e transportit, ndërtimtarisë dhe tregëtisë me shumicë e pakicë. Por, ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë, karburanteve dhe një sërë shërbimesh të tjera në pak muajt e fundit kanë krijuar shqetësime shtesë tek konsumatorët./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat