Tridhjetë vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë

Maqedonia

Tridhjetë vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë

Më: 30 mars 2022 Në ora: 11:12
Foto ilustrim

Me rastin e 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani realizoi takim me Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në vendin tonë, Nives Tiganj.

Gjatë takimit, siç njoftojnë nga MPJ, Osmani ka thënë Maqedonia e Veriut është krenare për bashkëpunimin e suksesshëm me Kroacinë.

Osmani dhe shtoi se invazioni ndaj Ukrainës dëshmoi se sa është e rëndësishme të qenit aleat dhe partner, duke e zbatuar parimin e solidaritetit, në mbrojtjen e vlerave evropiane, por edhe të drejtën e secilit shtet që ta ruajë pavarësinë dhe sovranitetin e tij.

“Sinqerisht besoj se me intensitet edhe më të madh, edhe në të ardhmen do të festojmë dhe shënojmë jubile mjaft të rëndësishëm të dy vendeve tona mike”, deklaroi Osmani.

Më 30 mars 1992, të dy shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike, me çka nisi procesi i ndërtimit të marrëdhënieve miqësore intensive, të cilat karakterizohen me dialogun e vazhdueshëm dhe vullnetin për bashkëpunim të gjithanshëm në më shumë fusha të interesit të përbashkët.

“Marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë, nga këndvështrimi i sotëm, bazohen në besimin dhe partneritetin e ndërsjellë, si në planin bilateral, ashtu edhe në kuadër të proceseve integruese euroatlantike. Tashmë jemi aleatë në NATO, ndërsa në Bashkimin Evropian kemi mbështetjen e parezervë të Kroacisë, e cila është shumë e përkushtuar dhe e vetëdijshme se kjo është mënyra më e mirë për zhvillimin e rajonit tonë dhe për stabilitetin e Evropës”.

“Angazhimi i vendosur i të dyja vendeve për kultivimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të tilla janë të bazuara në Marrëveshjen për Marrëdhënie Miqësore dhe Bashkëpunim të vitit 1994. Qëllimet dhe interesat e përbashkëta strategjike për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet të rajonit dhe më gjerë shënojnë 30 vitet e fundit të miqësisë dhe partneritetit”.

“Trendi i i këtillë pozitiv zhvillimor është i pranishëm edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor, por edhe në të gjitha segmentet e tjera të jetës dhe progresit tonë. Për t’u theksuar është edhe bashkëpunimi i shkëlqyer dhe konkret në pjesën e mbrojtjes së pakicave që paraqesin hallkë të rëndësishme, që i lidh më tej dy vendet tona dhe që mund të shërbejë si shembull për të gjitha vendet e tjera”, thonë nga MPJ Maqedoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat