Zbehen shpresat për arritjen e kompromisit në bisedimet Shkup- Sofje për çështjet historike

Maqedonia

Zbehen shpresat për arritjen e kompromisit në bisedimet Shkup- Sofje për çështjet historike

Më: 18 prill 2022 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Emërtimi i Klubit Kulturor Bullgar në Manastir me emrin “Vanço Mihajllov” nuk është gjë tjetër veçse provokim i qëllimshëm, i cili në të njëjtën kohë dërgon edhe mesazh. Kështu tha për “Deutsche Welle”, Dragi Gjorgiev, bashkëkryesues i komisionit të përbashkët maqedonaso-bullgar për çështje historike dhe arsimore. Ai mendon se po shuhen edhe shpresat e fundit për dialog të denjë.

“Bëhet fjalë për një figurë historike e cila për shkak të ideve të saj për mosekzistencën e kombit maqedonas ka marrë përmbajtje jashtëzakonisht negative nga maqedonasit. Dhe kur emri i një personi të tillë imponohet si emër i një klubi kulturor në territorin e shtetit maqedonas, ndërsa ai person nuk ka lidhje me kulturën, atëherë mund të kuptohet vetëm si një provokim arrogant, apo edhe si një akt që shkon në anën e kundërt nga e ashtuquajtura ‘miqësi’”, tha Dragi Gjorgiev.

Ky veprim sipas Gjorgiev ka zvogëluar të gjitha përpjekjet e deritanishme për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët.

“Fatkeqësisht, ky akt minon dhe vë në pikëpyetje të gjitha përpjekjet e tjera për zgjidhjen e keqkuptimeve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Në këtë mënyrë, zërat gjithnjë e më të paktë dhe më të qetë të arsyes nga të dyja palët mbyten dhe shpresat e fundit për një dialog të denjë shkatërrohen. Akoma më i trishtë është fakti që është keqpërdorur kultura, një nga urat e pakta ndërmjet dy popujve”, tha Gjorgiev.

Ky akt sqaron ai më tej, tregon sistemin e vlerave të një komuniteti të caktuar. Kur nga e kaluara nxirren vlera të caktuara të kultivuara përmes personaliteteve apo ngjarjeve, atëherë përmes tyre përcaktohet vlera aktuale dhe pozicioni ideologjik, si dhe vizioni ndaj së ardhmes së një komuniteti. Dhe kur, përkundër ekzistencës së shumë mundësive të tjera, nxirren vlera që i përkasin anës së errët të historisë, shton më tej, atëherë sigurisht që mesazhi që i dërgohet mjedisit është gjithashtu i errët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat