Ish-kryeministri maqedonas dënohet me nëntë vjet burgim

Maqedonia

Ish-kryeministri maqedonas dënohet me nëntë vjet burgim

Më: 20 maj 2022 Në ora: 17:13
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski.

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski me nëntë vite burg për shpërdorim të detyrës dhe të autoritetit zyrtar, në vitin 2011 dhe 2012.

Gruevski, i cili është arratisur në Hungari, së bashku me disa ish-zyrtarë maqedonas janë dënuar për rastin e njohur si “Kosmos”, rrënimin e një objekti të një biznesmeni që kundërshtonte politikën e partisë asokohe në pushtet VMRO-DPMNE, që drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Nga trupi gjykues, vepra ekryer është vlerësuar si e motivuar për hakmarrje politike.

Për veprën e njëjtë, ish-ministri i Transportit, Mile Jakanievski është dënuar me tre vjet burg, ndërsa me katër vjet burg u dënua ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës në Shkup, Toni Trajkovski.

Sipas aktgjykimit, të dënuarit duhet bashkërisht t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar biznesmenit Fiat Canovski, në shumën mbi 11 milionë euro.

Hetimi kundër Gruevskit dhe zyrtarëve tjerë ishin iniciuar nga afera e përgjimeve që ishte publikuar në vitin 2013 nga Zoran Zaev, ish-kryetari i Lidhjes Social Demokrate, e cila në atë kohë ishte në opozitë.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, më parë është dënuar me dy vjet burgim për blerjen e një makine luksoze në vlerë prej mbi 600 mijë euro, por dënimin nuk e ka vuajtur pasi që ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, më 13 nëntor të vitit 2018, kishte njoftuar përmes rrjetit social Facebook, se ishte arratisur në Hungari. Pak ditë më vonë ai njoftoi se autoritet hungareze i kishin miratuar kërkesën për azil politik për shkak të, siç ka thënë ai, ndjekjes politike nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev.

Në rrugën për në Hungari, Gruevski ka kaluar nëpër territoret e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat