Mickoski: Nga korriku çmimi i rrymës në Maqedoninë e Veriut rritet sërish me 10%

Maqedonia

Mickoski: Nga korriku çmimi i rrymës në Maqedoninë e Veriut rritet sërish me 10%

Më: 28 maj 2022 Në ora: 23:46
Foto ilustrim

Qeveria aktuale kapitulloi para krizës energjetike, kurse goditja më e madhe sërish bie mbi xhepat e qytetarëve, tha sot lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Nga 1 korriku qytetarët do të përballen me goditje të re çmimesh, ku përveç çmimit të rritur për 30% të rrymës nga ardhja e Qeverisë së LSDM-së, nga 1 korriku qytetarët do të kenë rritje të çmimit të rrymës për të paktën 10%”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga opozita shtojnë se qytetarët dhe industria marrin fatura tre here më të larta të rrymës.

“Ajo në skenën e hapur kapitulloi para krizës energjetike për diçka që VMRO-DPMNE e paralajmëronte qysh para një viti gjatë brifingjeve, por edhe gjatë konferencave për shtyp se nëse nuk ka ristrukturim dhe nuk ndalet me tenderët në katër sy dhe me vjedhjet në EMV-në, për fat të keq koston në fund të ditës do ta paguajnë qytetarët”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pushteti është i vetëdijshëm se vendi ndodhet në krizë energjetike, prandaj sillet zgjidhje ligjore me të cilën qytetarët do të mund të instalojnë centrale fotovoltaike në çatitë e tyre.

“Kur të lehtësohen kushtet dhe thjeshtësohen procedurat për instalim të centraleve fotovoltaike  në çatitë e qytetarëve, tashmë është në proces përpilimi i një zgjidhjeje ligjore. Së pari duhet të lehtësohen procedurat për ndërtim të një centrali dhe kjo zgjidhje ligjore do të gjendet para deputetëve në tremujorin e ardhshëm”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryeministri theksoi se me rregullat për kyçje të cilat janë në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe mbi të cilat po punohet, do të sigurohet që energjia elektrike të merret nga shpërndarësi i rrymës. Ministria e Financave tashmë është duke punuar në aktet nënligjore që të mund të futet një kategori për përfaqësues tatimor, duke ia lehtësuar distributorit të mund ta marrë energjinë elektrike dhe t’u japë faturë familjeve që nuk janë tatimpagues.

“Me ato tri zgjidhje, me rritjen e kapacitetit ekzistues nga 4 në 6 kilovat siç parasheh propozimi dhe me dyfishimin e kapacitetit të kompanive që duan të instalojnë në çatitë e tyre, do të lehtësohet procedura, gjegjësisht do të ketë procedurë e cila do të jetë identike me procedurat në vendet e Evropës Perëndimore, ku shumica prej nesh kishin mundësi të shohin se në pjesën më të madhe të çative janë instaluar centrale fotovoltaike”, tha Dimitar Kovaçevski.

Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, porositi se sektori i biznesit i ka propozuar Qeverisë disa masa, mbi të gjitha për ballafaqim me krizën energjetike dhe çmimin e shtrenjtë të rrymës.

“Lëndët e para janë shumë të shtrenjta, kurse disa prej tyre nuk mund të blihen. Kërkojmë të rritet niveli i prodhimit dhe të racionalizohet konsumimi i rrymës. Ofruam zgjidhje me partneritet publiko-privat në pjesën e prodhimit të energjisë elektrike”, tha Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike.

Azeski shton se Oda Ekonomike ka propozime për furnizim publik, si të menaxhohen në këtë situatë dhe deri në fund të vitit të mos sillen detyrime të reja tatimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat