Mesatarisht 1 mijë lëndë gjyqësore vjetërsohen çdo vit në të gjitha gjykatat e Maqedonisë

Maqedonia

Mesatarisht 1 mijë lëndë gjyqësore vjetërsohen çdo vit në të gjitha gjykatat e Maqedonisë

Më: 3 qershor 2023 Në ora: 18:25
Foto ilustrim

Mesatarisht 1 mijë lëndë gjyqësore vjetërsohen çdo vit në të gjitha gjykatat e Maqedonisë së Veriut. Të dhënat që u siguruan nga Këshilli Gjyqësor, tregojnë që kritikat e bashkësisë ndërkombëtare ndaj gjyqësorit për vjetërsimin e lëndëve të profilit të lartë, s’po e bezdisin fare këtë sektor dhe fenomeni i “amnistimit” të heshtur të kryerësve të veprave të ndryshme penale vazhdon të jetë prezent, edhe atë:

“Numri i lëndëve gjyqësore të vjetërsuara në 5 vitet e fundit”

2018 – 478 lëndë

2019 – 1162 lëndë

2020 – 1033 lëndë

2021 – 528 lëndë

2022 – 310 lëndë

Më së shpeshti vjetërsohen lëndët gjyqësore që kanë të bëjnë me rrezikimin e sigurisë në komunikacion. Megjithatë, lirinë e gëzojnë sot edhe shumë kryerës eventual të veprave penale si evazion fiskal, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe tjera.

Rikujtojmë që ALSAT në prill të këtij viti publikoi letrën qortuese të ambasadores amerikane Angela Aggeler drejtuar disa institucioneve në vend. Letra kishte të bëje pikërisht me vjetërsimin e lëndëve gjyqësore.

“Çdo ditë e më shumë shqetësohem dhe zhgënjehem për numrin e madh të lëndëve (nga profilet e larta) që Gjykata e Apelit i ka kthyer në shkallën e parë për rigjykim. E kuptoj se mund të ketë disa arsye për përmbysjet (kthimin e lëndëve), por rritja e rasteve të rikthyera dhe drejtësia e vonuar në veprimet juridike duket se ka filluar të bëhet praktikë. Paaftësia e dukshme e gjykatave për t’i kaluar rastet në mënyrë të shpejtë përmes gjykimit, në Apel dhe kalimi i tyre para dhe mbrapa mes Apelit dhe Themelores po gërryen edhe më tej besimin edhe ashtu të ulët që opinioni ka tek gjykatat”, letra e Aggeler për gjyqësorin e vendit.

Emrat dhe mbiemrat e gjykatësve të cilat kanë mundësuar vjetërsimin e lëndëve gjyqësore, kryesisht të atyre të ish-Prokurorisë Speciale dihen. Por në vend të sanksionimit të tyre, u shkarkua ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva e cila kishte premtuar masa kundër gjykatësve në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat