Demiri: Projekte të reja granti për tre institucione shëndetësore nga Ambasada Japoneze

Maqedonia

Demiri: Projekte të reja granti për tre institucione shëndetësore nga Ambasada Japoneze

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 19:38
Pamje nga takimi

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri dhe zv. ministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva morën pjesë sot në nënshkrimin e grant-projekteve të reja në kuadër të Programit Japonez për Grante të Vogla për Nevoja Bazë dhe Siguri Njerëzore, organizuar nga Ambasada e Japonisë. Drejtorët e tre institucioneve shëndetësore publike nënshkruan marrëveshje me ambasadën japoneze.

“Veçanërisht më gëzon fakti që këto grante mbulojnë tre institucione shëndetësore publike, siç janë: Spitali i specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative “13 Nëntori” – Shkup, i cili po fuqizohet me aparat të ri ekografik; Klinika Universitare për Kirurgji Digjestive, ku është planifikuar rinovimi i dyshemeve dhe dyerve; ndërsa për Shtëpinë e Shëndetit Negotinë është planifikuar blerja e një aparati të ri dixhital me rreze X”, tha Demiri.

Ambasada e Japonisë, theksoi Demiri, është partneri ynë në përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e kapaciteteve të shëndetësisë publike.

“Me këtë rast dua të theksoj, se një tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer që kultivojmë me Japoninë dhe ambasadën japoneze, janë projektet e shumta të realizuara në fushën e shëndetësisë dhe investimet e vlefshme, të cilat deri më tani janë realizuar në mbi 70 institucione shëndetësore publike në të gjithë vendin.

Falenderim të veçantë për Ambasadoren Ocuka Kazuja dhe Ambasadën Japoneze, për këtë kontribut të rëndësishëm dhe përgëzoj për 30 vitet e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë”, shtoi Demiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat