Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup mbyllet me ndërhyrje policore – disa të ndaluar dhe të arrestuar

Maqedonia

Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup mbyllet me ndërhyrje policore – disa të ndaluar dhe të arrestuar

Më: 18 maj 2026 Në ora: 08:26 Përditësuar në ora: 18:42 më 18.05.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Përfundon protesta e studentëve shqiptarë në Shkup

Ka përfunduar protesta e studentëve shqiptarë në Shkup.

Kjo protestë është bërë me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Gjatë kësaj proteste janë arrestuar pesë studentë.

Kështu ka bërë të ditur një studentë para turmës së studentëve e qytetarëve që po qëndronin para Ministrisë së Drejtësisë në Shkup.

Studentët nga Tirana pranë Shkupit, pjesa tjetër e protestuesve kthehet për t’i pritur

Studentët shqiptarë e nisur nga Tirana janë shumë pranë Shkupit për t’iu bashkuar atyre nga Maqedonia dhe Kosova.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, studentët nga Tirana ndodhen në zonën e quajtur “Ura e Gurit”.

Pjesa tjetër e studentëve kanë shkuar t’i presin, për të vazhduar protestën e tyre së bashku.

Pesë studentë arrestohen në protestën në Shkup

Në protestën në Shkup, janë arrestuar pesë studentë.

Kështu ka bërë të ditur një studentë para turmës së studentëve e qytetarëve që po qëndrojnë para Ministrisë së Drejtësisë në Shkup.

“Po dalim me protestu në mënyrë paqësore, provokohemi rrugës. Të dashur policë, edhe neve duhet të na mbroni”, u shpreh ai.

Studentët shqiptarë kanë ngritur sot zërin në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Studentët nga Shqipëria kërkojnë reagim: Jemi marrë peng nga katër maqedonas

Autobusi me studentë nga Shqipëria është bllokuar për të hyrë në Shkup.

Dasho Veizaj në një prononcim për media ka deklaruar se autobusi me studentët shqiptarë është marrë peng nga katër maqedonas.

“Është e papranueshme kjo që po ndodh, duhet të reagoni të gjithë sepse ne jemi marrë peng nga katër maqedonas dhe nuk e dimë në çfarë drejtimi jemi duke shkuar”, tha ai.

“Nuk e di se ku po shkojmë, sinqerisht po ua them këtë gjë”, u shpreh Veizaj.

Protesta e studentëve shqiptarë, marsh drejt Ministrisë së Drejtësisë në Shkup

Studentët shqiptarë në Shkup, së bashku me studentët nga Kosova e Shqipëria, si dhe pjesëmarrës të tjerë, do të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë.

Të njëjtit po protestojnë me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Këta studentë përveç pankartave me mbishkrime të ndryshme, po mbajnë në duar edhe flamurin kombëtar.

“Na kontrollojnë të mos marrim pjesë në protestë”, studentët nga Shqipëria bllokohen afër Shkupit

Studentët e Shqipërisë, që janë nisur drejt kryeqendrës së Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në protestën për mbrojtje të gjuhës shqipe, kanë mbetur të bllokuar.

Një student, Dasho Veizaj ka deklaruar se ai bashkë me kolegët e tij studentë, kanë mbetur të bllokuar vetëm 15 minuta larg Shkupit.

I njëjti thotë se kanë qenë nën shoqërinë e autoriteteve maqedonase, megjithatë, ai shton se nga drejtimi drejt Shkupit, janë nisur drejt Kosovës.

“Ne jemi të detyruar të kontrollohemi vetëm për të mos marr pjesë në protestën në Shkup”, u shpreh Veizaj.

Shkupi “vishet” kuqezi, studentët shqiptarë njëzëri: Besa besë, besën e kem dhanë…

Studentët shqiptarë në Shkup po protestojnë me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Kjo protestë tashmë ka nisur dhe përveç pankartave me mbishkrime të ndryshme, studentët po mbajnë në duar edhe flamurin kombëtar.

Ata gjithashtu edhe kanë kënduar këngën “besa besë, besën e kem dhanë…”.

Shqiptarët ngritin zërin në Shkup: Shqip do flitet deri në pafundësi!

Studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut, së bashku me studentë nga Kosova e Shqipëria po protestojnë në Shkup në mbrojtje të gjuhës shqipe.

Ata kanë ngritur zërin e tyre me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Një numër i madh i qytetarëve janë mbledhur në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa njëri nga organizuesit ka mbajtur fjalim motivues para turmës.

“Mos ta mendojë askush që kemi harru, ne nuk e harrojmë kurrë nënë tonë Shqipëri”, tha ai.

Ndërsa një hoxhë tha se shqip do të flitet deri në pafundësi.

“Ne nuk do të ia falim askujt, deri në ditën e kiametit, inshallah shqip do të flitet deri në pafundësi”, tha ai për gazetarët.

Studentë nga Kosova në përkrahje të studentëve në Maqedoninë e Veriut: Nuk janë vetë, mbështetja do të jetë e vazhdueshme

Studentë nga Kosova kanë ardhur në Shkup për të përkrahur kolegët e tyre në Maqedoninë e Veriut në protestën e sotme.

Studentët nga Kosova thanë se mbështetja e tyre do të jetë e vazhdueshme dhe protesta e qytetëruar.

"Studentët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vet, ne jemi këtu për t'i ndihmuar. Ne jemi për të treguar se mbështetja jonë është e vazhdueshme dhe nuk do të ndalemi këtu".

"Ne si grup që kemi qenë në një autobus. Ne e bëjmë këtë protestë në mënyrë të qytetëruar. Jemi prej të gjithë qyteteve të Kosovës", tha një student nga Kosova.

Ndryshe, protesta e sotme është paraparë të fillojë në orën 16:30, ndërsa tashmë ka nisur grumbullimi i qytetarëve.

Protesta e dytë e studentëve në Shkup, fillon tubimi i protestuesve pranë Urës së Gurit

Studentët e universiteteve në gjuhën shqipe, të cilët do të protestojnë sërish në Shkup, kanë filluar të mblidhen në Urën e Gurit.

Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët-të gjithë një zëri”, ndërsa organizatorët thonë se synojnë mbrojtjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Studentët u kanë bërë thirrje edhe sportistëve, artistëve dhe figurave publike që t’i bashkohen protestës në mbështetje të kërkesave të tyre.

Kujtojmë se kjo është protesta e dytë e studentëve, pas asaj që u organizua më 6 prill të këtij viti.

-----

Studentë shqiptarë nga të gjitha trevat do të mblidhen sot në Shkup për të protestuar lidhur me mosrealizimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Sipas njoftimit të studentëve, protesta do të zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, orës 16:30 para Urës së Gurit në Shkup, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Në këtë organizim do të marrin pjesë studentë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare, të cilët kërkojnë që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Protesta do të zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe qytetare.

“Së bashku para Urës së Gurit për gjuhën tonë”, thuhet në njoftimin e studentëve, ku vihet në pah rëndësia e mbrojtjes së përdorimit të gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat