Ministri Bekim Sali ka prezantuar në Tiranë progresin e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe prioritetet për integrim më të shpejtë në tregun e vetëm evropian.
Ai mori pjesë në takimin ministror për integrimin evropian, të organizuar në kuadër të Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Përmes një postimi, Sali bëri të ditur se deri më tani Maqedonia e Veriut ka siguruar 142,1 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, ndërsa 22 hapa reformues, me vlerë të vlerësuar mbi 112 milionë euro, janë në pritje të vlerësimit nga Komisioni Evropian.
Sipas tij, integrimi evropian tashmë po sjell përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.
“Integrimi evropian tashmë sjell përfitime konkrete: mbi 5 milionë euro kursime të vlerësuara nga pagesat përmes Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mundësi të reja për bizneset dhe mbi 204 mijë përdorues të rrjetit WiFi4WB”, ka theksuar Sali.
Ai ka bërë të ditur se prioritetet e vendit mbeten lehtësimi i qarkullimit kufitar, integrimi industrial dhe digjital, si dhe përshpejtimi i procesit për përfshirjen në regjimin evropian Roam Like at Home.
Në fund, Sali ka theksuar se integrimi gradual duhet të shërbejë si një mekanizëm për përshpejtimin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, e jo si zëvendësim i tij.
“Reforma në vend, më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset, më afër Evropës”, ka përfunduar ai.